Milani po shijon një nga fillimet më të mira të viteve të fundit dhe e bën këtë duke ndarë kryesimin e Serisë A me Napolin, në një garë që që tani premton ritme të larta dhe emocion deri në fund.
Në qendër të këtij suksesi është padyshim Rafael Leao, futbollisti që Max Alegri ka vendosur ta vendosë në epiqendër të projektit të tij dhe që po shpërblen besimin me paraqitje të nivelit të lartë dhe gola vendimtarë.
Starti i sezonit ka qenë pozitiv jo vetëm për ekipin, por sidomos për sulmuesin portugez, i cili po gjen për herë të parë vazhdimësi të plotë në rolin e qendrës sulmuese. Shifrat flasin qartë: ky është fillimi i tij më i mirë sezonal sa i përket realizimeve, në nivel të barabartë me kampionatin 2022/23, kur shënoi pesë gola në trembëdhjetë ndeshjet e para. Diferenca këtë herë është se Leao ka mbërritur deri këtu pavarësisht faktit se sezoni i tij nisi me një muaj vonesë për shkak të dëmtimit të pësuar në gusht gjatë ndeshjeve të Kupës së Italisë.
Alegri, duke njohur potencialin e tij, ka bërë një zgjedhje të guximshme dhe njëkohësisht logjike: ta zhvendosë lojtarin më të talentuar të ekipit nga roli klasik i numrit 10 apo të një sulmuesi anësor, në një rol krejtësisht qendror. Për Leao, kjo qasje e re ka sjellë lirshmëri të madhe në lëvizje, hapësira të reja në zonë dhe mundësinë për t’u gjendur më shpesh në goditje përfundimtare. Madje, edhe trajneri i tij i dikurshëm te të rinjtë e Sportingut ka kujtuar në një intervistë të fundit se që në moshë të re e kishte krahasuar me Fenomenin Ronaldo – për shpejtësinë, driblimin dhe mënyrën e përshpejtimit në hapësira të ngushta. Pavarësisht krahasimeve të mëdha, një gjë tashmë është e çertefikuar: Leao është bërë shtylla kryesore e repartit ofensiv kuqezi. Bashkë me Kristian Pulisiç, ai përbën dyshen mbi të cilën mbështetet pjesa më e madhe e lojës sulmuese të Milanit.
Kjo është edhe më e kuptueshme kur marrim parasysh se nga lojtarët e tjerë të avancuar, si Himenez dhe Nkunku, nuk kanë ardhur deri më tani përgjigje të rëndësishme për shkak të formës dhe problemeve fizike. Kjo situatë ka një pasojë direkte edhe në planin e rotacionit, sidomos me ndeshjet e Kupës së Italisë që po afrojnë. Milani do të përballet të enjten në mbrëmje me Lacion në “Olimpiko” dhe në letër duket e vështirë që Alegri të vendosë të lërë Leaon pushim. Me shumë gjasë, portugezi do të jetë sërish zgjedhja e parë në qendër të sulmit, i mbështetur nga Loftus-Cheek, i cili po kalon një moment të mirë forme dhe po shfaq aftësi të rëndësishme në lidhjen e mesfushës me fazën ofensive. Alegri shpreson të ketë në dispozicion edhe Pulisiç, i rikuperuar pjesërisht, por nuk pritet që amerikani të nisë titullar për të shmangur rreziqet e rikthimit të dëmtimit.Në këtë sfidë pritet të ketë disa ndryshime të kontrolluara në formacion, pa kaluar në rotacion të thellë. Një shans nga minuta e parë mund t’i jepet Estupinan-it në krahun e majtë, ndërsa në mbrojtje mund të shfaqet De Uinter për t’i dhënë pak pushim Tomorit, i cili ka qenë mes lojtarëve më të ngarkuar të këtij fillimsezoni. Në mesfushë pritet të shihet nga minuta e parë Riçi, ndërsa mundësi për të fituar minutazh shtesë ka edhe Jashari, i cili është ende në fazën e adaptimit me kërkesat taktike të trajnerit italian.
IGLI ÇUTRA-PANORAMASPORT.AL









