Milani regjistroi barazimin e dytë radhazi, por ndryshe nga ndeshja ndaj Pizës, këtë herë bëhet fjalë për një pikë të fituar. Skuadra e drejtuar nga Masimiliano Alegri u detyrua të mbrohej fort pas golit fillestar të Samuele Riçit, megjithatë qëndrimi dhe përkushtimi i lojtarëve e kënaqën trajnerin toskan, i cili tani duhet të mendojë për gjendjen fizike të Rafael Leaos dhe Santiago Himenezit në prag të sfidës kundër Romës.
“Rafën e zëvendësova në fund të pjesës së parë sepse ndiente një shqetësim. U stërvit, por nuk arrinte të sprintonte dhe nuk ndjehej mirë”, shpjegoi trajneri kuqezi për DAZN. “Për Himenez bëhet fjalë për një goditje, ndërsa për Leao do të shohim, por nuk duket diçka serioze. Me Romën do të rikthehet edhe Estupinian, pastaj duhet të shtrëngojmë dhëmbët për dhjetë ditë, sepse vjen pushimi dhe do t’i kemi të gjithë në dispozicion.”
Alegri komentoi edhe paraqitjen e skuadrës, e cila, pavarësisht mungesave, reagoi mirë, edhe pse ka ende për t’u përmirësuar në fazën sulmuese, sidomos në pjesën e dytë kur Milani pati rastet më të pastra.
“Në pjesën e parë gabonim shumë në daljet me top, pjesërisht sepse Atalanta na shtypte lart, pjesërisht nga lodhja. Në të dytën e dinim që ata s’mund të na shtypnin vazhdimisht, por ne gabuam disa pasime në 20 metrat e fundit dhe nuk shfrytëzuam rastet”, përfundoi trajneri nga Livorno. “Pësuam një gol që mund të shmangej sepse ishim të gjithë në pozicion, por megjithatë zgjatim serinë pozitive dhe tani mendojmë për të dielën, ku na pret një ndeshje e bukur kundër Romës”.
PANORAMASPORT.AL









