Milani përgatitet për një tjetër test të rëndësishëm sezonal, teksa sonte do të zbresë në fushë kundër Lacios për raundin e 1/8 të Kupës së Italisë.alegriEdhe pse Masimiliano Alegri e ka theksuar shpesh se nuk synon të ndryshojë rrënjësisht formacionin titullar, disa lëvizje janë të pashmangshme, si për të menaxhuar forcat, ashtu edhe për të mbërritur në takimin e radhës me lojtarë në kushte optimale.
Trajneri e ka bërë të qartë se ky kompeticion mbetet një objektiv i rëndësishëm dhe se finalja në “Stadio Olimpiko” ka një magji të veçantë, sidomos kur luhet në pranverë. Milani e njeh mirë shijen e një finaleje të Kupës së Italisë: sezoni i kaluar u mbyll me humbjen ndaj Bolonjës në maj, ndërsa një vit më parë Alegri mbylli aventurën e tij me Juventusin pikërisht duke ngritur trofeun në kryeqytet. Këtë herë, kuqezinjtë duhet të kalojnë një pengesë historikisht të komplikuar.
Lacio e ka fituar Kupën katër herë që prej triumfit të fundit të Milanit, një tregues i qartë i vështirësisë së sfidës që i pret në transfertë. Në aspektin e formacionit, Alegri pritet të bëjë disa ndryshime të studiuara. Koni De Uinter është emri i parë që do të shfaqet në mbrojtje, duke zëvendësuar njërin mes titullarëve Tomori, Gabia ose Pavloviç. Nga pozicioni, Tomori duket kandidati më i mundshëm për të marrë pushim, por në kampin kuqezi nuk përjashtohen surprizat deri në momentin e fundit. Në krahët e mbrojtjes, Salemaekers do të marrë vendin në të djathtë, ndërsa Pervis Estupinan do të rikthehet në të majtën, duke i dhënë Bartesagit mundësinë të menaxhohet më mirë pjesa fizike. Mesfusha është reparti ku pritet një nga ndryshimet më të mëdha. Luka Modriç do të lihet pushim, me Samuele Riçi-n që do të marrë kontrollin e organizimit në mesin e fushës.
Ndërkohë, Rabiot pritet të konfirmohet si titullar, edhe pse agjenda e ngjeshur e ndeshjeve do të kërkojë rotacion të kujdesshëm. Misteri qëndron te pozicionimi i Jusuf Fofana-s, i cili varet nga mënyra se si Alegri do të përdorë Ruben Loftus-Cheek. Nëse anglezi vendoset pranë Rafael Leao-s në repartin ofensiv, atëherë Fofana do të duhet të marrë më shumë përgjegjësi në qendër të mesfushës. Në skenarin tjetër, Kristofer Nkunku mund të startojë në një treshe me RLC dhe Rabiot.
Ndërkohë, lajmet pozitive vijnë nga Kristian Pulisiç, i cili dje zhvilloi pjesërisht seancën stërvitore me skuadrën në “Milanelo”. Stafi teknik do të vendosë sot nëse lojtari amerikan do të grumbullohet për sfidën e Kupës. Një tjetër emër që mund të shfaqet gjatë ndeshjes është Ardon Jashari, i cili nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që nga muaji gusht, por që pritet të marrë disa minuta për të rikthyer ritmin e lojës. Megjithëse Milani nuk do të zbresë në fushë me një ekip tërësisht të dytë, rotacionet e menduara janë të domosdoshme për të ruajtur ekuilibrin e grupit dhe për të shmangur rrezikun e lodhjes së tepërt. Objektivi është i qartë: kalimi i turit dhe vazhdimi i rrugëtimit drejt një trofeu që klubi e ka vendosur mes prioriteteve të këtij sezoni.
IGLI ÇUTRA-PANORAMASPORT.AL









