Nga Bjellorusia dhe Kina vjen kufiri i ri i dopingut: një substancë që i shndërron brejtësit e vegjël në “atletë të pamundur” dhe vë në alarm Agjencinë Botërore Antidoping (WADA). Sipas asaj që raporton “Corriere”, në laboratorët biokimikë të Minskut dhe Çançunit kjo substancë është pagëzuar me emrin “Lance A.”, një emër aspak rastësor.

Pas këtij eksperimenti qëndrojnë brejtës të artë (hamsterë sirianë), të cilëve u injektohet një molekulë e quajtur M101: një hemoglobinë e nxjerrë nga krimbi detar Arenicola marina, i zakonshëm në brigjet e Bretanjës franceze. Edhe pse jo i këndshëm për syrin, një krimb rreth 15 centimetra i gjatë, me njolla të kuqe dhe vjollcë, Arenicola fsheh një aftësi të jashtëzakonshme: hemoglobina e tij transporton deri në 156 molekula oksigjeni, krahasuar me vetëm katër tek njeriu. Për më tepër, funksionon si në 37 gradë, ashtu edhe në kushte ekstreme nxehtësie apo të ftohti. Rezultatet e injektimeve janë sa mbresëlënëse, aq edhe shqetësuese.
Brejtësit dhe gjithashtu vidrat apo gjitarë të tjerë të vegjël, shumëfishojnë me dhjetë herë kapacitetin e transportit të oksigjenit. Hipoksia zhduket, ndërsa rezistenca fizike rritet ndjeshëm. Nga kafshë të zakonshme, ato shndërrohen në “maratonistë, alpinistë apo triatletë në miniaturë”. Pa efekte anësore të dukshme: as hipertension, as vazokonstriksion, as rrezik tromboze. Madje duken më të shëndetshëm: më pak stres oksidativ dhe një sistem imunitar më i fortë.
Një formulë fituese dhe jashtëzakonisht e rrezikshme. Por këtu nis problemi i madh për antidopingun. Këto manipulime të gjakut shkelin drejtpërdrejt Kodin e WADA-s, por M101 kalon pa u vënë re në kontrollet standarde. Nuk ndryshon hematokritin, retikulocitet apo ferritinën. Asnjë alarm nuk ndizet në pasaportën biologjike.
M101 u zhvillua në Francë tre vite më parë me një qëllim krejt tjetër: të zëvendësonte transfuzionet e gjakut dhe eritropoietinën në operacione, situata lufte apo në ruajtjen e organeve. Por ajo që ishte menduar për të shpëtuar jetë, sot ka përfunduar në listën e zezë të ËADA-s. Në konferencën e fundit në Busan (Kore e Jugut), u përmend si “armiku i ri numër një”, pas zbulimit të testeve sportive në laboratorë të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kinës. Sipas disa burimeve, përbërësi tashmë mund të gjendet edhe në tregun e zi, jashtë përdorimit mjekësor të autorizuar.
NJË METODË QË VË ANTIDOPINGUN NË ALARM
Ideja fisnike për të shmangur ruajtjen e gjakut njerëzor është shtrembëruar: dikush po kërkon të krijojë atletë “post-EPO”, më të fuqishëm dhe më rezistentë se kurrë më parë. Zbulimi i këtij truku do të jetë një sfidë e madhe.
Pasaporta biologjike nuk mjafton dhe identifikimi i kësaj “EPO-je të krimbit” kërkon analiza të shtrenjta dhe shumë të shpejta: duhet përcaktuar origjina shtazore e hemoglobinës në plazmë para se ajo të zhduket, pasi jeta e saj është vetëm disa orë.
Në Romë, laboratori antidoping, i sapo rinovuar, po përgatitet të marrë mostrat olimpike të “Milano-Cortina”-s vetëm pak orë pas garave. Nëse ËADA e urdhëron, aty mund të nisë “gjuetia” e kësaj hemoglobine jonjerëzore, ndërsa mostrat e ngrira ose të thara do të ruhen deri në dhjetë vjet, në rast se e ardhmja zbulon atë që sot i shpëton kontrollit. Një gjë është e sigurt për momentin: “hamsterët Lance” vrapojnë shumë shpejt dhe Antidopingu duket se po vjen pas tyre me vonesë.
PROBLEMI HISTORIK I DOPINGUT
Së fundmi, “MARCA” publikoi një reportazh që nis nga një ide e pakëndshme: dopingu nuk ishte një anomali që korruptoi një sport fillimisht të pastër, por një konstante historike që rrëfimi zyrtar ka preferuar ta fshehë. Duke u mbështetur në librin “Doping”: Mes lavdisë dhe kurthit (Libros de Ruta, 2025), nga April Henning dhe Paul Dimeo, rrëzohet vizioni moralist dhe i thjeshtuar që ka dominuar për dekada.
Nuk ka pasur një “epokë të artë” pa artificë, as heronj plotësisht “të pastër”, por një ndërtim kulturor që ka shërbyer për të mbrojtur epikën, emocionin dhe mbi të gjitha biznesin e sportit modern. Teksti përshkon origjinat e performancës sportive në fillim të shekullit XX, kur përdorimi i stimuluesve ishte pjesë normale e progresit shkencor dhe nuk konsiderohej mashtrim.
Rastet si maratonat e vitit 1904 apo praktikat mjekësore në çiklizëm dhe futboll tregojnë se kufiri mes të lejuarës dhe të ndaluarës nuk ka qenë kurrë shkencor, por simbolik dhe kulturor. Kthesa erdhi kur sporti u shndërrua në ideologji dhe spektakël-biznes global: atëherë lindi nevoja për të simuluar pastërtinë, edhe pse realiteti mbeti shumë më kompleks dhe kontradiktor.
Sipas autorëve, krijimi i një sistemi antidoping gjithnjë e më intruziv nuk e zgjidhi këtë kontradiktë, por e thelloi atë. Kontrolli i përhershëm i ka kthyer atletët në të dyshuar të përhershëm, ka prodhuar padrejtësi të vështira për t’u riparuar dhe ka shkaktuar më shumë dëme anësore sesa zgjidhje reale. Përfundimi i tyre është i fortë: problemi nuk është vetëm dopingu, tani edhe me forma të reja, por edhe fabula dhe biznesi që e rrethon atë.
PANORAMASPORT.AL








