TIRANË- Gjykata Administrative mbajti sot seancën për padinë e bërë nga aktorja Anila Bisha ndaj AKSHI-t dhe Këshillitë të Ministrave, ku kërkon pezullimin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella. Mësohet se seanca është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të aktores, Aranit Roshi, i cili kishte njoftuar më herët gjykatën se ishte i sëmurë.
Burime bëjnë me dije se Agjencia Kombëtare e Informacionit (AKSHI) dhe një përfaqësues nga Kryeministria ishin njoftuar për të marrë pjesë në seancën e sotme, por asnjëra palë nuk ishte prezente në seancën e sotme.
Ndërkohë, juristë nga avokatura e shtetit kanë kërkuar që për shkak të situatës emergjente seanca e sotme të mos shtyhet. Por nga ana e tij, gjyqtari Armand Shkurta deklaroi se çështja e ngutshme është për paditësin dhe jo për të paditurin, ndaj u vendos shtyrja e senacës.
Sipas burimeve, seanca e radhës do të mbëhet në datën 23 shkurt në orën 14:00.
ZËRI raportoi më herët se Bisha ka deklaruar se ka pasur një kontratë që parashikonte përdorimin e imazhit vetëm si asistente virtuale për shërbimet në platformën e-Albania, e cila kishte efekt deri më 31 dhjetor 2025. Aktorja në padinë e ngritur argumenton se shfaqja e avatarit në rolin e “ministres virtuale për Inteligjencën Artificiale” është bërë pa miratimin e saj dhe në shkelje të marrëveshjes kontraktuale. Gjithashtu, aktorja kërkon një dëmshpërblim prej 1 milionë euro për prishje imazhi.
Padia është ngritur në Gjykatën Administrative ndaj Këshillit të Ministrave, Kompanisë Apel dhe AKSHI-t. Një reagim ka ardhur edhe nga qeveria. Përmes drejtoreshës së Agjencisë për Median dhe Informimin, Manjola Hasa, qeveria bën të ditur se respekton të drejtën e çdo qytetari për t’iu drejtuar drejtësisë, por pretendimet e ngritura në këtë rast, i konsideron si të pabazuara. Sipas Hasës, Shqipëria është një vend i lirë, ku qytetarët kanë të drejtë të ndjekin rrugët ligjore kundër qeverisë./ZËRI






