TIRANË- Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet ditën e hënë në selinë blu në drekë, ku do të pritet të diskutohen dhe vendosen disa çështje të rëndësishme për drejtimin e forcës politike. Në këtë mbledhje pritet të diskutohet strategjia dhe organizimi për protestën e 22 marsit, duke përcaktuar edhe ndarjen e detyrave dhe planin e mobilizimit.
Në rendin e ditës do të jenë gjithashtu edhe çështje të tjera organizative brenda partisë. Mes tyre përfshihet mbledhja e grupit të punës për ndryshimet statutore, procesi i zgjedhjeve në degët e partisë, si dhe caktimi i datës për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar.
Agjenda e diskutimeve:
“Të hënën në orën 12:00: mbledhje kryesie me rend dite:
1- Diskutime rreth vazhdimit të aksionit opozitar (Protesta e dt. 22 Mars)
2- Vendimmarrje për çelje të procesit zgjedhor në degët e PD që janë në përfundim të mandatit statusor
3- Miratim i datës së Kuvendit Kombëtar që do t’i propozohet Këshillit Kombëtar
4- Ngritje e Grupit të Punës për Rishikimet në Statut
5- Të tjera”.
Në vijim të aksionit opozitar, Partia Demokratike e Shqipërisë ka organizuar edhe më herët protesta dhe tubime duke paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë deri në rrëzimin e qeverisë “Rama 4”. Protesta e 22 marsit pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm i këtij aksioni, ku drejtuesit e partisë synojnë një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve. /ZËRI



