Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e djeshëm (07.01.2026) në rrugën federale B34, në Gjermani, ku një familje me origjinë nga Kosova me pesë anëtarë është përplasur me një kamion.
Sipas mediave gjermane, në aksident u përfshinë një kamion (Lkw) dhe një automjet i tipit Audi. Si pasojë e aksidentit, një person mbeti i bllokuar në automjet dhe u desh ndërhyrja e Zjarrfikëses Vullnetare për ta nxjerrë nga makina.
Mes të lënduarve janë edhe tre fëmijë të vegjël, të moshës nga pesë muaj deri në tre vjeç. Ata u transportuan me helikopterë drejt klinikave pediatrike, por ende nuk dihet shkalla e plagëve të tyre.
Në total, gjashtë persona mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Policia rrugore e Waldshut-it ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Aktualisht nuk ka ende informacion për dëmet materiale.









