TIRANË-Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka bërë bilancin në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë publike në vend, masat e ndërmarra deri më tani nga ky dikaster dhe strukturat vartëse. Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, duke sjellë në vëmendje shifrat e dukshme që tregojnë për besimin e qytetarëve dhe turistëve në vend.
Sipas saj, ka ulje të krimeve të rënda dhe vrasjeve me dashje, duke theksuar se numri i vrasjeve ka rënë nga 41 për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 29 këtë vit.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu: Shqipëria është e vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi Lonly Planet. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton ti referohemi fakteve dhe shifrave. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza. Kemi një 99% zbulueshmëri sa i përket veprave penale; nga 20 vepra penale, 19 zbardhen në kohë dhe ndalohen. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë.
Ndër të tjera ministrja tha se kanë rritur ndjeshëm sigurinë duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Koçiu përmendi edhe punën e SPAK, duke thënë se ka sekuestruar e konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 mln euro.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu: Nga SPAK janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro me burim nga kriminaliteti, të cilat po përdoren për financimin e projekteve sociale. Sa i përket rendit dhe sigurisë publike, në nëntë muaj zbulueshmëria e veprave penale ka qenë mbi 95%. Vrasjet me dashje janë reduktuar ndjeshëm, nga mesatarisht dy vrasje në javë, sot kemi një vrasje çdo dy javë. Shpërbërja e grupeve kriminale është një nga arsyet pse niveli i veprave të rënda penale është ulur ndjeshëm. Në fushën e narkotikëve, gjatë nëntëmujorit janë identifikuar dhe asgjësuar 195 mijë bimë narkotike, janë zbuluar 103 raste të trafikut dhe janë arrestuar 173 shtetas të implikuar. Krahasuar me vitin 2024, niveli i zbulueshmërisë është rritur dukshëm. Janë identifikuar gjithashtu mbi 1 mijë raste të kultivimit të kanabisit, në 9 muaj policia ka kryer 1 mijë aksione.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka komentuar tre vrasjet e 28 tetorit, ku Marjan Kodheli vrau me thikë babin e tij Pjetër Kodhelin; picieri Filip Shehu vrau me thikë kolegun, 34-vjeçarin Indrit Ismaillari në bar-restorantin “City Lounge” dhe Kristo Mema vrau turistin 42-vjeçarin Keli Hoxha, në kalanë e Beratit, pas sherrit banal për kalin.
Sipas saj në këto ngjarje nuk impikohet puna e Policisë së Shtetit./ZËRI




