TIRANË-Në mbledhjen e 16 shkurtit në Komisionin e Ligjeve, mazhoranca vendosi me votat e tyre të ndryshojë ligjin për qeverisjen elektronike, duke ndryshuar mënyrën si operon sot Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Deputeti socialist Erjon Malaj u ka vënë firmën ndryshimeve që parashikojnë se AKSHI, në ushtrimin e funksioneve operative të zhvillimit, administrimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve TIK, mund të krijojë ose të bashkëpunojë me shoqëri aksionare ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.
Miratimi erdhi mes debatesh të ashpra me opozitën, e cila solli në vëmendje faktin se agjencia dhe ish-drejtues të saj janë nën hetim nga SPAK për abuzime me tenderat. Në të njëjtën linjë ishte edhe deputetja Jorida Tabaku, e cila ngriti pyetjen se kush e garanton që kompanitë e reja me kapital privat nuk do të ndjekin të njëjtën rrugë.
Projektligji i depozituar prej tij në Kuvend vjen pas hetimit të bujshëm të Prokurorisë së Posaçme, që zbuloi ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në krye të AKSHI, i akuzuar se kontrollonte tenderat prej dhjetra milionë euro të instraktukturës digjitale të shtetit. Mes të akuzuarve janë biznesmeni, Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Diskutimet:
“Jo privatizim, por korporatizim fleksibël financiar, kontrolli publik nuk cenohet”, tha Erjon Malaj, deputet i PS.
“Cilin problem doni të zgjidhni ju? Problemi sot është kriminalizimi i AKSHI-t. Ju duhet më parë të dekriminalizoni AKSHI-n, që agasët të mos kapin llokmën e luanit. Kjo nuk e zgjidh, sepse kjo do ta bëjë më keq, do ta bëjë edhe pa garë”, u shpreh deputeti i PD Enno Bozdo.
“Tenderat e AKSHI-t janë ndarë me revole nga koka. Kush na garanton që njësia e re nuk do të veprojë me të njëjtën gjë?”, deklaroi deputetja e PD Jorida Tabaku.
“Çdo lloj tentative për të hedhur baltë mbi një agjenci prestigjioze, për ta lidhur me insinuata, për ta sqaruar drejtësia se përgjegjësia e çdo zyrtari është individuale, i takon drejtësisë ta thotë fjalën e fundit”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja.
Përpos debateve në fund, ndryshimet ligjore kaluan vetëm me votat pro të mazhorancës, duke i dhënë dritën jeshile formës së re të funksionimit të AKSHI-t.
Ndryshimet:
Projektligji i depozituar në Kuvend kërkon shfuqizimin e disa pikave në nenet 4 dhe 29 të ligjit “Për qeverisjen elektronike”, ku parashikohen kompetencat e AKSHI në kryerjen e prokurimeve të qendërzuara dhe lidhjen kontratave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit.
Po ashtu, AKSHI-t i hiqet detyrimi për prokurimet e klasifikuara si “sekret shtetëror” për institucionet e administratës shtetërore dhe ato në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe prokurorimet e tjera sipas kërkesave të institucioneve. Për të kryer këtë detyrë propozohet të krijohet një shoqëri aksionere, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve, e krijuar ose e autorizuar nga AKSHI për zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, platformave dhe infrastrukturave të qeverisjes elektronike.
Ndërkohë, sistemet, platformat ose infrastruktura e Teknologjisë së Informacionit do të kalojnë, sipas nismës, “në administrim të shoqërive operatore TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje”. Institucionet publike përfituese do të paguajnë shoqëritë operatore TIK në bazë kontratash shërbimi për shërbimet e mirëmbajtjeve të sistemeve të tyre.



