TIRANË-Qeveria shqiptare dhe ajo italiane do të zhvillojnë nesër në Romë një mbledhje të përbashkët. Samiti dypalësh do të nisë fillimisht me një takim bilateral ndërmjet ministrave sipas sektorëve të tyre, ku do të shqyrtohen projektet dhe bashkëpunimet aktuale.
Më pas, dy Kryeministrat Rama dhe Meloni, do të zhvillojnë një bisedë direkte ‘kokë më kokë’ për të diskutuar prioritetet strategjike dhe çështjet më të rëndësishme. Pas kësaj, Kryeministri dhe ministrat e të dy vendeve do të mbajnë një takim të përbashkët, ku do të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe identifikimi i projekteve të reja bashkëpunimi në sektorë si energjia, infrastruktura, tregtia dhe turizmi.
AGJENDA:
Në orën 11:40 është parashikuar takimi mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni.
Në orën 12:30 do të nisë mbledhja e përbashkët me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dy vendeve, ndërsa rreth orës 14:00 pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe memorandumeve në fusha si: mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura.
Delegacioni shqiptar që do të marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët përbëhet nga:
• Belinda Balluku, Zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
• Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
• Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
• Albana Koçiu, Ministre për Punët e Brendshme
• Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
• Evis Sala, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
• Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
• Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
• Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
• Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Ndërkohë mësohet se 5 ministri do të firmosin marrëveshje bashkëpunimi me Italinë.
Ministria e Brendshme
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Shëndetësisë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) –një marrëveshje për cybersecurity
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë – marrëveshje financimi për rrjetin elektrik të veriut.
Takimi do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët për mediat, pa mbajtjen e konferencës për shtyp, duke theksuar rezultatet dhe qëllimet e samitit.



