TIRANË– Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanajn, e cila ndodhet në masë sigurie për skandalet me tenderat e AKSHI-t ka dhënë dorëheqjen. Burime për ZËRI bëjnë me dije se në vend të saj është emëruar Igli Tafa. Ky i fundit ka mbajtur postin e drejtorit të përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike.
Kujtojmë se në dhjetor të 2025, Karçanaj e vendosur në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ dhe e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, delegoi kompetencat drejtuese tek Romina Kostani. Karçanj delegoi gjithashtu edhe kompetencat e Titullarit të Autoritetit Kontraktor për AKSHI-n. Sipas vendimit vendimmarrjet që lidhen me çështjet e sigurisë kibernetike do të ushtroheshin nga Enis Ylli, Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat e-Gov dhe Marko Cela, Drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës e-Gov. Por as Kostani dhe as Ylli nuk u vendosën në krye të AKSHI-t.
Lëvizja vjen pas hetimeve të SPAK për abuzime në rreth 12 procedura tenderimi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh.
Në lidhje me hetimin ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi janë vendosur në “arrest shtëpie”, ndërsa është pezulluar nga detyra zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismailaj. Ndërkohë në kërkim janë shpallur dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe manipulim me tenderët e ASHKI-t./ZËRI







