TIRANË-Kryenegociatorja Majlinda Dhuka në një konferencë për mediat mbi rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, ka mohuar lajmet se Komisioni Europian ka pezulluar fondet për dixhitalizimin. Lajmi u raportua nga Kapital.al para një jave, ku thuhej se vendimi për të ndërprerë financimet e axhendës dixhitale për Shqipërinë është marrë pas hetimit të SPAK lidhur me tenderat e AKSHI (Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit).
Lidhur me këtë Dhuka u shpreh se deri në këtë moment nuk kanë asnjë komunikim nga KE për një masë të tillë, qëndrim i mbajtur edhe nga vetë Komisioni Europian. Sipas saj Bashkimi Europian e mbështet Shqipërinë në rrugën e transformimit dixhital, duke patur parasysh që ka një rëndësi të madhe për të parandaluar korrupsionin në sportel.
Kryenegociatorja Majlinda Dhuka: Nuk kemi asnjë lloj komunikimi publik nga KE lidhur me këtë fushë sa i përket pezullimit. Jam njohur me interesin nga disa media në lidhje me programet për dixhitalizimin me burim financimin BE. BE e mbështet Shqipërinë në rrugën e transformimit dixhital, duke patur parasysh që ka një rëndësi të madhe për të parandaluar korrupsionin në sportel. Kam biseduar me koordinatoren kombëtare të fondeve IPA, nuk rezulton që kemi ndonjë informim paraprak apo komunikim nga KE për një masë të tillë si pezullimi i fondeve të Shqipërisë për programet dixhitale.
Kujtojmë se mbi 44 milionë euro u dhanë në vitin 2025 nga Komisioni Evropian për dixhitalizimin në Shqipëri. Fondi u nda në kudër të programit IPA III, ku do të mbështeste financiarisht 4 sektorë: dixhitalizimin dhe sigurinë, dixhitalizmin e shërbimeve për bizneset, aftësitë dixhitale dhe transformimin e arsimit./ZËRI




