TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nuk dha asnjë koment në lidhje me hetimet e SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Balla tha se socialistët nuk do të diskutojnë mbi asnjë dosje të institucioneve të drejtësisë, në respekt të punës së tyre.
“PS edhe në diskutimet që patëm përgjatë javës së kaluar, mbështet punën e institucioneve të drejtësisë, nuk do të bëjmë komente mbi çështjet që trajtojnë institucionet e drejtësisë. Sa i përket pyetjes suaj, zyrtarisht PS nuk bën koment për asnjë çështje të drejtësisë”, u shpreh Balla gjatë komunikimit me gazetarët.
Ndërkohë një prej çështjeve që u diskutua sot në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, ishte dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, teksa mesnata e kësaj të hëne është dhe afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave.
“Prej 3 vitesh nuk është zgjedhur pasardhësi i Avokatit të Popullit që pas mbarimit të mandatit, ndërkohë që ligji thotë 30 ditë pas mbarimit të mandatit, nuk është bërë kjo. Deri sot në orën 12:00 të natës, kandidatët kanë të drejtë të shprehin interes, prej nesër, ato aplikime që vijnë me postë, Kuvendi do të publikojë edhe listën, që i shkon komisionit përgjegjës që në fillim bën vlerësimin se kush plotëson ose jo kriteret”, tha Balla.
“Qoftë në komision apo në një tryezë tjetër, të ulemi dhe ta zgjedhim”, ishte ftesa e tij drejtuar opozitës.
Balla deklaroi se Partia Socialiste nuk ka ende një emër për ta mbështetur, ndërkohë që zgjedhja e Avokatit të Popullit në Kuvend kërkon 84 vota. Për shkak të mungesës së konsensusit mes palëve politike, Erinda Ballanca e ka ushtruar detyrën e saj përtej afateve kushtetuese. Asaj i ka mbaruar mandati që prej marsit të vitit 2022.
Balla kërkoi gjithashtu ngritjen sa më shpejt të komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe ate territoriale, ndërsa opozita ende nuk ka dërguar emrat e anëtarëve.
“Kryetari i Rama, në mbledhjen e Asamblesë më 11 shtator, ka prezantuar disa propozime që lidhen me atë që shohim në Shqipërinë e 2030 dhe në kuadër të një reforme të madhe institucioni. Ajo që është prezantuar ka të bëjë edhe me një reformë e cila në njërën fazë ka filluar, pra kishte të bënte me një reformim të komisioneve të Kuvendit, por edhe me një propozim për një Kuvend jo me 140 anëtarë, por me 101. Qëllimi nuk është caktimi i numrave, sesa qasja që i përket rolit të deputetit.
Këtu përfshihet një punë intensive që është bërë prej muajsh dhe është në një fazë përfundimtare që ka të bëjë me një ligj për organizimin e Kuvendit. Kuvendi është në majën e piramidës, rregullon institucionin, por nuk ka rregulluar veten”, vijoi socialisti. /ZËRI



