TIRANË- Kryeministri Edi Rama komentoi anulimin e tenderit për portin e ri të Porto Romanos. Në konferencën për mediat nga Kryeministria, Rama deklaroi se tërheqja e ofruesit të tenderit në momentin e fundit ishte një koincidencë e pashmangshme.
Sipas kreut të qeverisë, procesi është zhvilluar nën një presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë që, sipas tij, nuk janë të interesuar për realizimin e projektit. Megjithatë, Rama thekson se nuk ka të dhëna që kompania të jetë tërhequr si pasojë e presionit nga SHBA apo BE.
“Për sa i përket projektit të Porto Romanos për fat të keq ka ndodhur një koincidencë e pashmangshme, që në momentin e fundit kompania që ka kaluar të gjitha fazat është tërhequr, duke iu referuar situatës së krizës dhe natyrisht duke qenë se oferta financiare do të ishte e lidhur me tavanin e studimin që është bërë dhe me tavanin e vendosur nga kërkesa nga proceduar e hapur nga qeveria shqiptare. Nuk kemi të dhëna që kompania të ketë presion, por i gjithë procesi është zhvilluar në një presion, por jo nga SHBA dhe as nga BE.
Por ka pasur një presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë të pa interesuar që ai port të jetë një histori suksesi. Kini parasysh që nga A-ja, që disa thonë që se për çfarë duhet një port i ri dhe e lidhnin, idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve, në fakt e vërteta është që përtej injorancës, që në krye të herës ka pasur forca të interesuara që të mos ecte përpara projekti i portit të ri.
Për një arsye, porti ekzistues nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja strategjike dhe logjistike e Korridorit VIII, edhe sikur ta marrësh e ta zbukurosh është i papërshtatshëm për të qenë nyje logjistike. Një nyje portuale në mes të qytetit, nuk ekziston. Kapacitete janë krejt të papërshtatshme. Porti i ri, është një port që e çon Shqipërinë në një nivel krejt tjetër, sepse është një nyje e lidhur me një port tjetër strategjik që porti i thatë i Prishtinës dhe porti i thatë i Shkupit”, tha Rama.



