TIRANË- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po raporton përpara Komisionit të Punëve të Jashtme, lidhur me situatën në Lindjen e Meseme. Në nisje të raportimit, ministri Hoxha bëri me dije se është ngritur një Shtab i posaçëm që ka punuar pandërprerë, 24 orë në kontakt me përfaqësitë diplomatike në vendet e prekura dhe ato përreth.
“Në radhë të parë në qendër të vëmendjes sonë ka qenë situata e qytetarëve shqiptarë. Qëkur ka filluar kriza kemi ngritur një Shtab të posaçëm që në bashkëpunim me MEPJ dhe ka bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë, të pandërprerë, jashtë orarit, 24 orë ka qenë Shtabi në kontakt me përfaqësitë diplomatike jo vetëm me vendet e prekura, por edhe përreth për të ndjekur ecurinë e situatës, përshkallëzimin, implikimin për shoqërinë dhe qytetarët tanë”, tha ministri.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, theksoi se Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë nga ambasadat në vendet e prekura, ndryshe nga disa vende të tjera. Ai shtoi se ishte shumë e rëndësishme që personeli diplomatik të mbetej i pranishëm dhe në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë në zonat e konfliktit.
“Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria s’ka mbyllur asnjë nga përfaqësitë diplomatike në vendet e prekura. Ka qenë shumë e rëndësishme që ne të kishim njerëzit tanë atje në mënyrë të vazhdueshme dhe kontakt të vazhdueshëm”, u shpreh ai.
Sa i përket shqiptarëve që ndodhen në vendet e luftës, ministri tha se janë regjistruar dhe kategorizuar të gjithë ata që kanë kërkuar ndihmë. Hoxha deklaroi se në momentin e nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, në rajon ishin 2962 shtetas shqiptarë, prej të cilëve 2511 shtetas janë kontaktuar nga Ministria. Hoxha shtoi se po punohet për largimin e shqiptarëve nga vija e luftës.
“Në fillim të konfliktit, ne kemi pasur 2962 shtetas shqiptarë në rajon. Këta janë me qëndrim të përhershëm. Këta njerëz jetojnë atje me familjet e tyre. 543 shtetas me qëndrim të përkohshëm. Ambasada ka kontaktuar 2511 shtetas individualisht. Një për një, emër për emër. U kemi marrë numrat, u kemi dhënë numrat tanë, email, të na kontaktojnë nëse duan. Të interesuar për t’u larguart janë 138 shtetas, të asistuar për të larguar, do mundohemi të organizojmë transport. Janë larguar individualisht 45 shtetas. Qytetarët që janë evakuuar me asistencën e shteteve të treta: 17 shtetas. Vështirësia më e madhe në Iran, ka shqiptarë atje, por nuk jemi të pranishëm atje. Kemi qenë në marrëdhënie me Kryqin e Kuq në Shqipëri dhe Gjysmë Hënën e Kuqe në Teheran. Përfaqësitë janë duke regjistruar rezidentët që duan të largohen. Ne i kemi kërkuar Iranit, kemi qenë vendet pararojë, kemi qenë të qartë, lidhur me kërkesën për të ndalur armë bërthamore dhe raketat balistike. Kemi pasur ndjeshmëri të veçantë nda protestave në Iran “, theksoi ministri Hoxha./ZËRI



