Balluku nuk ‘iu dorëzua’ SPAK/ ‘Sytë’ e ndërkombëtarëve nga Kuvendi: Luftoni korrupsionin. Rama: Dakord!


Balluku nuk 'iu dorëzua' SPAK/ 'Sytë' e

Edi Rama dhe Belinda Balluku

TIRANË-Vëmendja e vendeve europiane dhe jo vetëm u kthye sot nga Kuvendi i Shqipërisë ku pritej t’i hapej rrugë ose jo arrestimit të deputetes Belinda Balluku me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Pas rreth një ore Parlamenti ‘vulosi’ fatin e Ballukut, ku me 82 vota kundër të socialistëve e të PSD dhe 47 votat pro të opozitës, u rrëzua kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres. Ky vendim pasoi një mori reagimesh nga Bashkimi Europian, Komisioni Europian dhe Ambasadat e huaja në vendin tonë nga ajo Britanike tek Holandezja. 

Por si u pa ky votim nga ‘sytë’ e ndërkombëtarëve?

Ambasadat kanë shprehur mbështetje lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por theksojnë njëzëri se prioritet drejt Europës është lufta kundër korrupsionit përfshirë edhe në nivelet më të larta. Komisioni Europian nga ana tjetër ka kërkuar angazhim dhe garantimin e kushteve që Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të kryejë punën e saj në mënyrë efektive dhe sa më shpejt. Edhe Bashkimi Europian në të njëjtë linjë duke mbajtur shënim edhe votimin në Kuvendin shqiptar, thekson se lufta kundër korrupsionit ka një rëndësi thelbësore për procesin e anëtarësimit.

REAGIMET:

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar: Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut. Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.

Ambasada Gjermane: Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar rreth heqjes së imunitetit Ambasada Gjermane deklaron: Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces. 

Ambasada Holandeze: Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë në lidhje me heqjen e imunitetit, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri deklaron: Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi.

Komisioni Europian: Bashkimi Europian merr shënim rezultatet e votimit të sotëm në Kuvendi i Shqipërisë. Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE. Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Bashkimi Europian: Bashkimi Evropian është në dijeni të rezultatit të votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE.

Lidhur me deklaratat e para përkatësisht Ambasadës Britanike dhe Gjermane, një përgjigje erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh 100 % dakort me reagimet. Rama duke arsyetuar votimin në Kuvend, theksoi se deputetja Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes do të vazhdojë pa pengesa për SPAK-un. Kreu i qeverisë në përgjigje siguroi se pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për Prokurorinë e Posaçme mbetet e palëkundur.

Përgjigjia e Edi Ramës:

Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%. 

Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj: 

* Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian

* Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.  

* Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar Komisionit Europian. 

* Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor. 

* Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për  prokurorinë. 

Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë! Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se deputetja ka intimiduar dëshmitarë dhe mund të përbëjë rrezik për provat në hetim. Ish-zv.kryeministrja është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë, dhe hetimi ndaj saj do të vijojë në gjendje të lirë dhe vetëm me masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top