Përplasja/ Rama-kryetarit të Dhomës Amerikane të Tregtisë: Kush po e pengon projektin e Porto Romanos i ka bërë llogaritë gabim!


Përplasja/ Rama-kryetarit të Dhomës Amerikane të

Grant Van Cleve dhe Edi Rama

TIRANË-Nga mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisës Socialiste, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek projekti për Porto Romanon, për të cilën Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi rishikim te tenderit. Ishte vetë kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleve, i cili me anë të një emaili (email që ka rrjedhur në disa media) dërguar Ramës, u shpreh se tenderi duhet të shtyhet duke arsyetuar se projekti aktual është shumë i vogël dhe nuk mund të mbështesë zhvillimin e korridorit VIII, duke rrezikuar që transporti rajonal të vazhdojë të kalojë përmes porteve të Pireut dhe Selanikut.

Sipas Ramës, llogaritë janë bërë gabim dhe u shpreh se ky projekt që do t’i shërbejë Prishtinës, Shkupit, BE-së dhe NATO-s është një nga proceset më të ndërlikuara. Kreu i qeverisë la të kuptohet se ekzistojnë aktorë që po përpiqen ta pengojnë realizimin e tij. Ai theksoi se qeveria është e vendosur ta çojë përpara këtë investim strategjik, duke shtuar se për çdo çështje tjetër mund të ketë alternativa, por jo për integrimin evropian të vendit. 

Edi Rama: Ndërtimi i Portit të ri Tregtar dhe ushtarak në një krah në Porto Romano parashikon 3-fishimin e kapaciteteve përpunuese aktuale dhe krijimin e një zone të lirë ekonomike. Parku Logjistik, ndërkohë hap rrugën për 2 porte të reja të thata në Prishtinë dhe në Shkup, duke krijuar një nyje të re me fuqi strategjike dhe logjistike të konsiderueshme, jo thjesht për rajonin, por edhe si një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian dhe NATO-n. Është një nga proceset më të ndërlikuar që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi, që janë të zakonshme mes vendesh që janë me stade të caktuar zhvllimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos asaj portuale “Royal Askoning” nga Hollanda, një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por e monitoruar nga “A-ja”, te “ZH-ja” nga konsulenti “Royal Askoning”. Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtuar për ta bllokuar projektin ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkmin Evropian. Për çdo gjë tjetër jam te C-ja.

Zhvendosja e aktivitetit të portit të Durrësit në një tjetër terren bëri që qeveria të vendoste për zhvillimin e tij në Porto Romano. Mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri është zgjedhur modeli C2. Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det.

Çfarë përmbante letra e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleve

Në letër kërkohet shtyerja e tenderit, duke arsyetuar se nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e tij aktuale të kufizuar, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm. Sipas Van Cleve, projekti aktual është jashtëzakonisht i vogël dhe do të dështonte, kur mund të ishte një Porto Romano i madh dhe mund të ripërcaktojë rolin strategjik të Shqipërisë në Evropën Juglindore.

Dhoma e Tregëtisë Amerikane propozon një projekt më të madh të bashkëfinancuar edhe nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia. Gjithashtu propozohet ofrimi i firmave më të mira inxhinierike amerikane për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, duke mos mbetur një port kombëtar dytësor.

“Portet e mëdha janë ndër asetet gjeopolitike më të rëndësishme të një kombi. Ndryshe nga rrugët apo hekurudhat, të cilat mund të zgjerohen me kalimin e kohës, portet e mëdha zakonisht ndërtohen vetëm një herë në një shekull dhe shkalla fillestare e tyre përcakton potencialin strategjik afatgjatë. Problemi Thelbësor: Projektimi aktual i Porto Romanos është jashtëzakonisht i vogël: Korridoret e transportit ndjekin portet — jo e kundërta. Një port i vogël nuk mund të gjenerojë volumet e mallrave të nevojshme për të mbështetur një korridor logjistik madhor lindje-perëndim si Korridori 8. Korridori 8 nuk do të ndjekë një port të vogël. Nëse Porto Romano mbetet i vogël, ngarkesat rajonale do të vazhdojnë të kalojnë përmes Pireut dhe Selanikut. Një Porto Romano me ujëra të thella, i lidhur me Korridorin 8, do të forconte ndjeshëm mobilitetin dhe qëndrueshmërinë strategjike të NATO-s në Evropën Juglindore. Pyetja është e thjeshtë: A do të varet Shqipëria nga Pireu dhe Selaniku — apo do të varen Ballkani nga Porto Romano? Kërkojmë me respekt që tenderi i Porto Romanos i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet në bazë të kërkesave më të fundit të NATO-s dhe Korridorit 8. Mund të lehtësojmë zhvillimin EPC+F të një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia. thuhet në letrën publike.

Kujtojmë se më 27 shkurt Prokuroria e Posaçme sekuestroi dosjen e tenderit të projektit për ndërtimin e portit në Porto Romano, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi shkelje në procedurën e prokurimit. Hetimet e SPAK pritet të verifikojnë nëse gjatë zhvillimit të procedurës janë respektuar kriteret ligjore dhe parimet e barazisë në garë. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Autoriteti Portual lidhur me sekuestrimin e dosjes.

Ecuria e këtij tenderi nisi zyrtarisht në fund të vitit 2024, ku në garë u paraqitën pesë operatorë dhe bashkime kompanish ndërkombëtare me peshë në industrinë e ndërtimit detar. Gjatë muajit prill të vitit 2025, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave njoftoi se pas fazës së para-kualifikimit, vetëm kompanitë “Archirodon Construction” dhe “Van Oord Dredging and Marine Contractors” arritën të kalonin filtrat teknikë, ndërkohë që emra të njohur si “Ëebuild” dhe bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga “Jan De Nul” u skualifikuan nga gara. Në garë ka mbetur vetëm Archirodon, kompani e cila brenda 9 marsit duhet të paraqesë oferten financiare dhe të finalizohet edhe kontrata për ndërtimin e portit.

Poll



Source link

Scroll to Top