Largimet e bujshme nga PD, opozitarët që braktisën “varkën”


Largimet e bujshme nga PD, opozitarët që braktisën

Figurat politike që i u larguan nga opozita

TIRANË- Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025, një sërë funksionarësh të Partisë Demokratike, por edhe të zgjedhur lokalë e vendorë, kanë pranuar që të largohen nga partia dhe të marrin poste publike në qeverisjen “Rama 4”. Disa nga largimet më të bujshme ndodhën gjatë vitit 2025, por edhe këtë vit, anëtarë të PD-së kanë zgjedhur të largohen.

Më 6 mars, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Jola Hysaj dha dorëheqjen nga posti i saj si dhe nga anëtarësia në parti. Përmes një postimi në “Facebook”, Hysaj u shpreh se dorëheqja vjen pas një sërë zhvillimesh dhe vendimmarrjesh që sipas saj janë larguar nga parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një parti demokratike. Më tej, ajo shton se posti i saj është përdorur kryesisht për imazhin publik, ndërsa kompetencat reale janë kufizuar, duke e bërë pozicionin formal pa përmbajtje. Në postimin e saj, Hysaj shprehet se mbi të gjitha, problemi themelor mbetet mungesa e hapjes reale brenda Partisë Demokratike. Më tej shton se një parti politike duhet të jetë hapësirë debati, ideje dhe përfaqësimi. Hysaj deklaron se sot PD funksionon brenda një rrethi të ngushtë njerëzish, ku shpesh mungon respekti minimal jo vetëm ndaj bazës, por edhe ndaj vetë strukturave dhe hierarkisë së saj.

Ndërsa, në nëntor u largua kreu i Departamentit “Brain Gain” në PD, Andi Mustafaj. Përmes një postimi në “Facebook” në shtator, ai njoftoi se në nëntor do të largohet nga posti që mban prej 3 vitesh. Mustafaj njoftoi se kishte informuar anëtarët e departamentit që më 5 mars për të mos lënë vend për keqkuptime. Në njoftim, Mustafaj e cilëson vendimin e tij si një kontribut për të dëshmuar se Partia Demokratike është shtëpia e atyre që duan të ndryshojnë Shqipërinë.

Por këta nuk janë të vetmit që u larguan, disa nga funksionarët e PD u bashkuan me Partinë Socialiste, duke marrë edhe poste drejtimi, një pjesë e tyre e kanë justifikuar marrjen e posteve, me përgjegjësitë dhe dëshirën e mirë për t’i shërbyer qytetarëve. Sinjalet e para për largimet nga fronti opozitar u dhanë që në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e Majit. Alban Zeneli dhe Zamira Sina, dikur deputetë dhe aktivistë të njohur pranë Partisë Demokratike, u bënë pjesë e listave të hapura për deputetë nga radhët e Partisë Socialiste. Sina arriti që të fitonte mandatin në qarkun e Vlorës, ndërsa Zeneli mbeti pa post, edhe pse tashmë duket se rrugët e tij me të djathtën janë ndarë.
Po teksa Sina priste që të merrte mandatin zyrtarisht në Kuvend, një tjetër eksponent i lartë i PD-së në Vlorë, do të largohej nga kjo forcë politike. Genc Deromemaj, ish-drejtuesi i PD-së për 4 vite, pranoi postin e drejtuesit të Kadastrës në Vlorë. Një institucion që në vitet e fundit ka qenë një prej më të lakuarve në media, për shkak të dorëheqjeve së njëpasnjëshme të drejtuesve. Deromemaj kishte kandiduar po ashtu për kreun e Bashkisë së Vlorës, përballë Dritan Lelit.

Një nga emërimet më të bujshme, i cili u komentua gjatë dhe në rrjetet sociale ishte ai i Silva Cakës në postin e zëvendësministres së brendshme. Një nga më të besuarat e Ilir Metës, e gjendur shpesh në krye të protestave dhe aksioneve opozitare, tashmë e braktisi varkën, edhe për shkak të përqëndrimit të Partisë së Lirisë në duart e Tedi Blushit pas burgosjes së ish-presidentit. Sulmeve të Partisë së Lirisë, Caka vendosi që të mos iu përgjigjej, ndërsa komentet munguan edhe për arsyet që e shtynë drejt marrjes së detyrës së re, nën qeverisjen e Edi Ramës, të cilin nuk kishte lënë rast pa e kundërshtuar.

Gjithashtu, një tjetër emërim që “tronditi”, ishte ai i ish-deputetit demokrat Dashnor Sula në postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm. Vendimi për emërimin e tij u mor më 6 shkurt gjatë mbledhjes së qeverisë. Ish-deputeti do të zëvendësojë, Shkëlqim Hajdarin, i cili u emërua prefekt i Tiranës. Kujtojmë se në janar të këtij viti në media qarkulloi lajmi se ish-deputeti demokrat, Dashnor Sula do ta zëvendësonte në këtë post Shkëlqim Hajdarin, i cili dha dorëheqjen. Por, Sula asakohe i përgënjeshtroi lajmet dhe mohoi që të ketë pasur çdo lloj diskutimi apo propozimi për këtë detyrë.

Sërish, një tjeter emërim i bujshëm ishte ai i Zheni Gjergjit, ish-deputetes së Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, e cila nuk fitoi dot një mandat në zgjedhjet e Majit, për shkak të vendosjes në listat e hapura. Ajo iu rikthye karrierës së saj të mëparshme, në sistemin shëndetësor. Këtë herë jo si një mjeke e thjeshtë, por si drejtuese e spitalit të Elbasanit, një prej institucioneve më të rëndësishme në nivel vendor. Vendimin e saj e cilësoi si një mundësi për t’iu shërbyer qytetarëve të Elbasanit, edhe pse nuk mund ta fshihte të shkuarën politike.

Pa u tharë mirë rreshtat e ish-deputetes demokrate, një tjetër emërim nxiti kureshtjen e publikut. Manjola Nikollo, ish-kryetarja e PD-së në Sarandë, pranoi rolin e nënkryetares së bashkisë së qytetit, që qeveriset nga socialisti Oltion Çaçi. Në një reagim të bërë publik pas emërimit, Nikollo pranoi hapur përplasjet e saj me deputeten e qarkut Ina Zhupa, të cilën e akuzoi për një garë të pabarabartë në primaret e zhvilluara përpara zgjedhjeve të Majit.

Joshjes për të bashkëpunuar me pushtetin nuk i shpëtoi as ish-deputeti i qarkut të Durrësit, Ferdinand Xhaferri. Pasi nuk pranoi që të bëhej pjesë e primareve për të zënë një vend në listat e PD, Xhaferri është emëruar së fundi si këshilltar i presidentit Bajram Begaj për çështjet e sigurisë.

Sikur të mos mjaftonin prurjet nga e djathta në qeveri, një lëvizje interesante është bërë së fundi dhe për emërimin e drejtorit të ri të Portit të Durrësit. Në krye të portës më të rëndësishme hyrëse në Ballkan, është emëruar ish-ministri i Kosovës për Infrastrukturën dhe Mjedisin, Liburn Aliu. Ky i fundit u larguar nga qeverisja e Albin Kurtit gjatë verës, pas përplasjes për zgjedhjen e kreut të ri të kreut të Kuvendit.

Kjo qasje gjithëpërfshirëse e qeverisjes Rama 4, u konfirmua nga vetë kryeministri në shtator të këtij viti, teksa prezantonte ministrat e rinj në Asamblenë e Partisë Socialiste. Rama tha se Shqipëria nuk e ka luksin që të humbasë eksperiencën e njerëzve të ndershëm, pavarësisht nëse ata janë demokratë. Pavarësisht se kupolën drejtuese të opozitës e konsideron një kënetë dhe bufa kënete, Rama tha se ka njerëz të ndershëm që me eksperiencën e tyre, mund të kontribuojnë në realizimin e reformave dhe punëve, të vogla dhe të mëdha. “Ne i fituam zgjedhjet, s’kemi më nevojë për vota, por nuk kemi luksin që të humbasim eksperiencat dhe profesionalizimin e kujdo. Veçanërisht ky bashkëpunim mund të jetë i domosdoshëm në zonat e vogla, ndaj duhet të bashkëveproni, duhet të integroni individët opozitarë”, u shpreh Rama në Asamblenë e PS. /ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top