
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur të mbështesë bizneset e prekura nga rritja e pagës minimale, duke miratuar një kompensim financiar mujor për 9 muaj, për periudhën janar–shtator 2026. Skema synon të lehtësojë barrën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguhen nga punëdhënësit. Kjo lëvizje vjen pasi qeveria ka rritur pagën minimale në 50 mijë lekë, dhe si rrjedhojë bizneset duhet të paguajnë më shumë kontribute sigurimesh për punonjësit.
Kush do të përfitojë dhe sa do të paguajë shteti
Sipas vendimit të qeverisë, kompensimi do të llogaritet mbi bazën e numrit të të punësuarve që kanë pagë bruto nga 40 mijë deri në 49 999 lekë. Masa e kompensimit do të jetë 16.7% e diferencës mes pagës së tyre aktuale dhe pagës minimale prej 50 mijë lekësh.
Për të përfituar nga kjo skemë, subjektet duhet të ushtrojnë aktivitet në sektorët ekonomikë të përcaktuar në listën e veprimtarive përkatëse dhe nuk duhet të jenë në pronësi shtetërore apo institucione publike. Një tjetër kusht është që bizneset të mos kenë detyrime të papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.
“Kompensimi financiar llogaritet dhe jepet bazuar në numrin maksimal të të punësuarve me fashën e pagës bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë, që figurojnë në listëpagesën e deklaruar në organet tatimore për muajin shtator 2025, për përditësimin më të fundit të bërë gjatë vitit 2025.”, thuhet në vendim.
Si aplikohet
Aplikimet për përfitimin e kompensimit do të bëhen në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, nga 1 prilli deri më 31 tetor 2026. Pagesat do të realizohen çdo muaj nga drejtoritë rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë.
Po në këtë mbledhje, qeveria ka miratuar një vendim tjetër të rëndësishëm. Bëhet fjalë për vendimin që përcakton rregullat dhe procedurat për administrimin dhe rikuperimin e garancive shtetërore për huatë dhe nënhuatë, si dhe për kthimin e kredive shtetërore të pakthyera që janë dhënë nga bankat shtetërore para procesit të privatizimit të tyre./ZËRI



