TIRANË- Zv/kryeministrja Albana Koçiu i dorëzoi detyrën e saj si Ministre e Punëve të Brendshme ministrit të ri në këtë detyrë, Besfort Lamallarit. Ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës u zhvillua sot në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë fjalës së saj në konferencën për mediat, Koçiu u shpreh se ky moment shënon një ndërrim stafetash me emocion, ndërsa theksoi se mbajtja e postit si Ministre e Punëve të Brendshme ishte një privilegj për të.
Sakaq, ajo theksoi se të gjitha çështjet dhe punët që la pa mbaruar, sipas saj do të çohen përpara me profesionalizëm nga Lamallari, ndërsa këtij të fundit i uroi suksese.
“Stafetat janë ndërrime që mbartin edhe emocionet e tyre, por unë besoj se kjo stafetë që po ia dorëzoj sot Ministrit të Punëve të Brendshme, Lamallarit, është më shumë si kthimi i Besfortit në shtëpi. Jam shumë e gëzuar që e ndaj këtë stafetë me Besfortin, i cili është rikthyer sërish në shtëpi.
Për mua është sigurisht një nder i jashtëzakonshëm. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që do të drejtoja Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pa dyshim ka qenë një privilegj të ndajmë së bashku një rrugëtim 5-6 mujor, një sfidë që m’u besua nga Kryeministri Rama. Besoj se e kam kryer me përkushtim dhe me shumë dhënie nga vetja, pikërisht për faktin se Ministria e Punëve të Brendshme, përveç specifikave që ka, mbart edhe një sërë çështjesh që kërkojnë vëmendje dhe përqendrim.
Të gjitha çështjet që kemi ngritur jam e sigurt se do të çohen përpara me profesionalizmin dhe përkushtimin e ministrit të ri të Punëve të Brendshme, të cilit i uroj suksese. Gjithashtu, uroj suksese edhe për të gjithë ju. Do të doja të kisha mundësinë t’ju njihja edhe më shumë nga afër, por edhe me pozicionin e ri do të kemi mundësi të shkëmbejmë eksperienca dhe mendime të vyera për ta çuar përpara punën e mirë të qeverisë dhe të çdo institucioni”, u shpreh Koçiu.
Ndërkohë, ministri i ri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, falënderoi zv/kryeministren Koçiu për përkushtimin dhe kontributin e saj, duke e cilësuar drejtimin e MPB-së gjatë këtyre muajve si profesional dhe dinjitoz.
“Rikthehem në shtëpi dhe gjej një ekip me të cilin ndaj të njëjtat vlera dhe përvojë. Ky është një nder i madh dhe një përgjegjësi e veçantë. Do të vazhdojmë të avancojmë projektet e nisura dhe të forcojmë misionin tonë për qytetarët, duke garantuar më shumë siguri, rend dhe integritet institucional,” deklaroi Lamallari./ZËRI



