TIRANË– Enea Karakaçi mori zyrtarisht sot detyrën si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ish-ministrja Belinda Balluku i dorëzoi detyrën pasardhësit të saj, teksa e vlerësoi Karakaçin si një aset të administratës publike. Gjatë prezantimit të tij para stafit, Balluku tha se Karakaçin e ka gjetur në këtë ministri kur ka ardhur në detyrë, teksa renditi arritjet e kësaj ministrie.
“Enea është rritur dhe ka ardhur para se të vija unë. Me ju në krahë, me një staf të jashtëzakonshëm që kjo ministri ka, unë mendoj se ju do ta kapërceni këtë situatë duke më lënë mua që të vazhdoj rrugëtimin tim, patjetër politik dhe personal, për të nxjerrë një të drejtë dhe të vërtet në dritë. Kemi transformuar së bashku sektorin energjetik. Kemi arritur të ngemë bursën e parë shqiptare energjetike. Kemi arritur të edukojmë qytetarët, bizneset i kemi bërë pjesë të politikave tona. Nuk vlen vetëm të prodhosh, por edhe ta ruash energjinë. Kemi ndërtuar rrugë dhe autostrada me cilësi europiane, kemi ndërtuar tunele”, tha Balluku.
Karakaçi shprehu nderim që u prezantua nga Balluku, duke theksuar se ka qenë privilegj të bashkëpunonte me të. Gjatë fjalës së tij, Karakaçi u shpreh i emocionuar teksa kujtoi kohën kur kishte hyrë në ministri në vitin 2011 si specialist i thjeshtë, e vazhdoi rrugëtimin si shef sektori, drejtor i përgjithshëm dhe administrator i OSHEE.
“Jam i emocionuar që për faktin që tani më kujtohet se unë në këtë Ministri kam hyrë për herë të parë si specialist në vitin 2011, kam bërë rrugëtimin tim, nga specialist, shef sektori, drejtor, drejtor i përgjithshëm dhe së fundmi i administrator i Korporatës Energjitike. Unë jam shumë i qartë përsa i përket vizionit, qasjes, objektivave dhe çfarë kërkohet nga kryeministri dhe qytetarët për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Jam i bindur që me bashkëpunimin tuaj, gjithë stafin e MIE, do ja dalim të çojmë përpara sfidat, të arrijmë atë që qytetarët kërkojnë nga ana jonë dhe të përmbushim detyrat me cilësinë e duhur. Një falenderim i veçantë për ju zonja zëvendëskryeministre, për gjithë rrugëtimin që kemi bërë bashkë, për mbështetjen tuaj gjatë gjithë detyrave në karrierën time, gjatë rrugëtimit tonë, që siç ju e thatë është që nga viti 2019. Ka qenë nder dhe privilegj i veçantë që unë të bashkëpunojë me ju”, tha ministri Enea Karakaçi./ZËRI



