“Vonesë në rrugën e Selitës dhe padrejtësi për pensionistët”, Braç ngre “zerin” në Kuvend: Gjeni zgjidhje!


"Vonesë në rrugën e Selitës dhe padrejtësi

erion brace

TIRANË- Deputetët janë mbledhur pasditen e sotme në orën 17:00 në seancë plenare, ku do të diskutohen një sërë çështjesh të rëndësishme.

Deputeti socialist, Erion Braçe ka ngritur dy shqetësime në Kuvend: Vonesa e ndërtimit të aksit rrugor në Selitë dhe skema e kompensimit për pensionistët që nuk kanë përfituar.

Sipas Braçes, ndërtimi i një rruge në Njësinë 5, Selita, po vonohet për shkak të ndërhyrjeve të OST në zonë. Braçe thekson se dy kompanitë nënkontraktore të OST, që po punonin për linjën ajrore me qark të dyfishtë Tirana 2-Rrashbull dhe Unazën 110 kV të Tiranës, kanë ndalur punën që në janar. Vonesa e rrugës sipas Braçes, lidhet pikërisht me këtë, pasi punimet nuk kanë përfunduar brenda afatit të parashikuar. 

“Shqetësimi im ka të bëjë me një zonë të Tiranës, Njësia 5, Selita, e cila ka një aks të qartë qëndror që fillon në Unazën e madhe të Tiranës, e përshkon mes për mes dhe del në anën tjetër. Shqetësimi lidhet me një rrugë që ka 2 vite që ka nisur dhe që duhet të përfundonte. Në fakt është mirë që rruga nuk ka përfunduar dhe në këtë pikë mirë është bërë, sepse OST ka në plan të ndërtojë linjën ajrore me qark të dyfishtë Tirana 2-Rrashbull dhe Unazën 110 kë të Tiranës. Segmenti është loti 2 që ka të bëjë me linjën ajrore dhe seksionet e kabllove nëntokësore. Kontrata është lidhur dhe afati për mbarimin e kësaj linje është nga 9 dhjetori 2025 deri në 9 mars 2026. Ajo që mua më shqetëson është që 2 kompani nënkontraktore të OST kanë lënë punën që në janar. Ndërkohë që kanë ngelur edhe 7 ditë nga sot, nuk ka shans që vepra të përfundojë. Kjo ndikon edhe te mos-përfundimi i rrugës pranë Selitës. Do doja shumë që ministria përgjegjëse për Energjinë dhe Infrastrukturën të kërkonte zbatimin e kontratës me ngulm, që të mos vonohet ndërtimi i linjës dhe shtrimi i kabllove nëntokësore nga nënstacioni deri sipër në kondrën e diellit dhe punimet për rrugën. Shqetësimi është shumë i madh pasi krah rrugës është shkolla ‘Murat Toptan’. Të gjithë fëmijët e Selitës shkojnë në këtë shkollë dhe nuk e kanë gëzuar ndërtimin e kësaj shkolle sepse kalojnë në baltë”, tha Braçe.

Gjithashtu, Braçe ngriti shqetësimin për pensionistët që nuk kanë përfituar kompensimin e të ardhurave, për shkak të mungesës së disa ditëve ose muajve pune. Nga foltorja, Braçe kërkoi nga ministria përkatëse që të gjejë një zgjidhje për këtë kategori.

“Ka një grup pensionistësh që nuk e kanë përfituar kompensimin e të ardhurave dhe brenda këtij grupi është një grup tjetër që për fare pak ditë apo muaj pune nuk e kanë përfituar pensionin e plotë të pleqërisë. Do të doja t’i kërkoja ministrisë përkatëse që të gjejë një zgjidhje për këtë kategori pensionistësh që nuk kanë përfituar nga skema e kompensimit të të ardhurave për fare pak gjë. Do të ishte mirë që edhe kjo kategori pensionistësh të përfitonin nga vendimi i qeverisë”, vijoi më tej Braçe.

Poll



Source link

Scroll to Top