
TIRANË- Këshilli i Mandateve shqyrtoi të hënën për rreth 5 orë në Kryesinë e Kuvendit, kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Në mbledhje ishin të pranishëm edhe prokurorët e dosjes së Belinda Ballukut, si dhe kreu i SPAK, Klodian Braho. Pas mbledhjes, dy forcat politike dolën me qëndrime të kundërta. Partia Demokratike paraqiti raportin për ndërheqjen e imunitetit. Ndërsa Partia Socialiste njoftoi se raporti do të publikohet ditën e enjte, duke qëndruar për mosdhënien e autorizimit për arrestimin dhe duke ju bërë kërkesë deputetëve që të vijojnë procedurat në Kuvend.
Të enjten, Kryeministri Rama mblodhi Grupin Parlamentar të PS-së si dhe kabinetin qeveritar. Në fjalën e tij të gjatë ai kritikoi drejtësinë dhe prokurorët, duke u shprehur se pezullimi i një ministri nga gjykata përbën një ndërhyrje të hapur në pushtetin legjislativ. Lajmi kryesor i javës politike ishte dhe riorganizimi i kabinetit qeveritar Rama 4.
Kryeministri vendosi të shkarkojë nga posti i zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Ballukun. Në vend të saj, në detyrën e zv. kryeministres u emërua Albana Koçiu, e cila deri më tani mbante postin e ministres së Brendshme. Enea Karakaçi u emërua ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë duke zëvendësuar kështu Belinda Ballukun. Ndërsa Besfort Lamallari mori postin e ministrit të Brendshëm duke zëvendësuar Albana Koçiun. Stafetën në Ministrinë e Drejtësisë, Lamallari ia la Toni Gogut. Eriona Ismaili u emërua ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, post që deri më tani e mbante Toni Gogu. Ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes largohet Pirro Vengu dhe në vend të tij vjen Ermal Nufi. Një shkarkim i bujshëm ishte dhe ai i Elisa Spiropalit, e cila deri më tani mbante postin e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në vend të saj është zgjedhur ish-ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha.
Fundjava u mbyll me një protestë të organizuar nga Partia Demokratike me në krye Sali Berishën, e cila u shoqërua me momente tensioni mes protestuesve dhe policisë. Opozita ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama si dhe përshkallëzimin e protestave në javët në vijim për çështjen e Belinda Ballukut./ZËRI



