TIRANË-Sulemet në lindjen e Mesme janë komentuar edhe nga figurat politike të vendit tonë. Kryeministri Edi Rama dënoi sulmet e Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe duke i quajtur ato si një sulm ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë se Lindja e Mesme mund të përcaktohet nga paqja dhe bashkëpunimi, e jo nga lufta dhe kaosi.
Edi Rama: Shënjestrimi i një oazi paqësor si Dubai me raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi zbulon edhe një herë natyrën e vërtetë të regjimit mesjetar në Teheran. Ky është refleksi i një sistemi të destinuar të dështojë, një sistemi që eksporton dhunë dhe përdor terrorin si armë kundër fqinjëve që kërkojnë paqe, për t’i frikësuar jo vetëm ata, por para së gjithash popullin e vet që kërkon liri.
Nga ana tjetër edhe kryedemokrati, Sali Berisha, e ka cilësuar vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, një lajm të mirë për njerëzimin. Në një postim në rrjete sociale, Berisha shkruan se ky është një lajm i mirë jo vetëm për kombin iranian, por për mbarë njerëzit e lirë në mbarë botën, ndërsa shton se pas vrasjes së tij, populli iranian duhet të fitojë lirinë e mohuar për dekada nga regjimi.
Sali Berisha: Lajmet tashmë nga shumë burime konfirmojnë vrasjen e diktatorit mizor të Teheranit, Ayatollah Khamenei nga bombardimi i bunkerit të tij nga aviacioni Amerikano-Izraelit. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për kombin iranian, por për mbarë njerëzit e lirë në mbarë botën. Urojmë që pas vrasjes së tij dhe eleminimit të dhjetëra zyrtarëve të tjerë të regjimit teokratik të Ayatollahëve, populli iranian të fitojë lirinë e mohuar për dekada nga ky regjim.



