TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një ristrukturim të gjerë të kabinetit qeveritar, duke bërë shtatë ndryshime të rëndësishme. Pas një mbledhjeje të gjatë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, prej rreth 9 orësh, Rama prezantoi një riorganizim të kabinetit qeveritar që prek disa prej dikastereve më kyçe të qeverisë.
Nga kabineti u larguan tre emra të njohur: Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu, të cilët nuk do të mbajnë asnjë post të ri ekzekutiv.
1. Belinda Balluku – ish-Zëvendëskryeministre dhe Ministër e Infrastrukturës dhe Energjitikës.
2. Elisa Spiropali – ish-Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.
3. Pirro Vengu – ish-Ministër i Mbrojtjes.
Shkarkimi i Belinda Ballukut nga postet e rëndësishme që mbante në kabinetin qeveritar “Rama 4” është një nga lëvizjet më të bujshme. Kryeministri zbuloi gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme se Balluku, i kishte dorëzuar 3 herë dorëheqjen, por vetë Rama ia kishte refuzuar kategorikisht. Belinda Balluku, e vënë nën akuzë nga SPAK, do të zëvendësohet në postin e numrit dy të qeverisë nga Albana Koçiu, e cila mbante postin e ministres së Brendshme. Ndërsa postin e Ballukut si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, do ta marrë Enea Karakaçi, i cili është administrator i OSHEE-së.
Nga ana tjetër, katër emra të rinj i janë bashkuar kabinetit qeveritar:
1. Ferit Hoxha – Ministër i Punëve të Jashtme (ish-ambasador).
2. Enea Karakaçi – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës.
3. Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes (ish-Zëvendësekretar i Përgjithshëm në Kryeministri).
4. Eriona Ismaili – Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ferit Hoxha vjen në postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin. Ai më parë ka mbajtur rolin e ambasadorit të Shqipërisë në BE. Hoxha diplomua në vitin 1988 në Fakultetin e Gjuhëve te Huaja; Gjuhë dhe Kulture Frënge, Universiteti i Tiranës, Shqipëri. Ai gjithashtu është diplomuar edhe në Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael”, Hagë. Eksperiencën e parë si diplomat ai e nisi në vitin 1991, në Ministrinë e Jashtme.
Më pas në vitin 1998 emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, shef i Misionit të RSH-së pranë Bashkimit Evropian, Bruksel, post të cilin e mbajti deri në vitin 2001. Më pas në vitet 2001-2006 emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së pranë Republikës Franceze, Paris dhe në vitet 2003-2006 ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën Portugeze, me rezidencë në Paris. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 është sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2009 emërohet ambasador i Shqipërisë në OKB, por është gjithashtu i akredituar si ambasador edhe për Kubën.
Enea Karakaçit i është besuar posti i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në vend të Belinda Ballukut. Karakaçi ka një eksperiencë të gjerë në sektorin energjitik. Më parë, ai ka punuar në Entin Rregullator të Energjisë, i cili është një autoritet i pavarur rregullator për sektorin energjitik shqiptar. Më vonë u punësua në Ministrinë e Energjitikës, ku dhe mbajti poste të ndryshme. Karakaçi ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshmëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ermal Nufi vjen si ministër i Mbrojtjes, duke zëvendësuar në këtë post qeveritar, Pirro Vengun. Nufi më parë ka qenë zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri. Nufi, deri më tani ka mbajtur pozicionin e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Që prej vitit 2013, është licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021 z. Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare. Me vendim të Këshillit të Ministrave, ai është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Erjona Ismaili është ministrja më e re e kabinetit, të cilës i është besuar detyra si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, e mbajtur deri më tani nga Toni Gogu. Ajo ka qenë kandidate për PS në qarkun e Vlorës. Në vitet e fundit, ka shërbyer si Koordinatore Rajonale në projektin zviceran “Bashki të Forta”, duke ofruar asistencë për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Është gjithashtu aktiviste e shoqërisë civile.
Ristrukturimi përfshiu Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Mbrojtjes.
Largimet dhe zëvendësimet:
Ikën Belinda Balluku- zëvendësohet nga Albana Koçiu
Besfort Lamallari-Minister i Brendshëm- zëvendeson Albana Koçiun
Toni Gogu- Ministër Drejtësie- zëvendëson Besfort Lamallarin
Ferit Hoxha- Minister i Jashtem- ikën Elisa Spiropali
Enea Karakafi-Ministër Infrastrukture dhe Energjitike-zevendëson Belinda Ballukun
Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes- ikën Pirro Vengu
Eriona Ismaili-Ministër për Marrëdheniet me Parlamentin-Zëvendeson Toni Gogun
Ndërkohë, disa ministri mbetën të paprekura nga ky riorganizim qeveritar.
1. Petrit Malaj – Ministër i Financave
2. Delina Ibrahimaj – Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
3. Mirela Kumbaro – Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
4. Evis Sala – Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
5. Blendi Gonxhe – Ministër i Kulturës dhe Sportit
6. Andis Salla – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
7. Adea Pirdeni – Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
8. Ervin Demo – Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
9. Majlinda Dhuka – Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore për BE-në
Ky riformatim i kabinetit shihet si një përgjigje direkte ndaj klimës aktuale politike./ZËRI








