TIRANË- Kryeminsitri Edi Rama foli për çështjen e Belinda Ballukut, teksa përsëriti sërish se zv.kryeministrja Belinda Balluku i ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen. Kryeministri theksoi se, ka qenë ai i cili i ka refuzuar dorëheqjen Ballukut, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria e Posaçme kërkon heqjen e mandati dhe arrestimin e saj.
Sipas Ramës, nuk bëhet fjalë për akuza korrupsioni, por për për pabarazi në tendera. Ai shtoi se Balluku i ka dorëzuar fillimisht dorëheqjen në zyrë që kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe një herë të tretë përmes një shkrese, kur u ripezullua nga mos vendim i Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, Rama theksoi se për këtë çështje do të presë raportin e Këshillit të Mandateve.
“Nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, se do pres raportin e Këshillit të Mandative para se të them edhe unë fjalën time shteruese për temën e imunitetit. Por, dua të ndaj me ju këtu diçka që e kam thënë edhe pa praninë e publikut përmes mediave. Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, qysh në mbrëmjen e ditës që iu ngrit akuza. Jo për korrupsion, se është shumë interesante që ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara për të ndërtuar ato vepra, akuza nuk është për korrupsion. Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri dorëheqjen kur u bë pezullimi, pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Siç iu kam thënë, e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes. Kam bindjen se në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë drejtësinë.”, deklaroi Rama./ZËRI



