TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së i është rikthyer sërish çështjes së AKSHI-t. Sipas Ramës, çdo zyrtar duhet të prezumohet i pafajshëm deri në provimin e fajësisë dhe se shteti duhet të garantojë lirinë e vendimmarrjes. Kreu i qeverisë shtoi se hetimet janë të nevojshme, por nuk duhet të krijojnë përshtypjen e ndërhyrjes apo ndëshkimit të padrejtë.
“Është masakruar me “bomba artizanale”, tenxhere…ndërkohë që jeton në shtëpi me qira”, tha ndër të tjera Rama, referuar drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Larçanaj, e cila ndodhet në arrest shtëpie.
“Për AKSH-in kam folur edhe më parë, edhe për drejtoreshën e saj që ndodhet në arrest shtëpie. Nuk dua të them asnjë fjalë për përmbajtjen e çështjes, por ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenar të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhinierë dhe inxhiniere, që me në krye drejtoreshën kanë punuar pa orar për punë me një vlerë të jashtëzakonshme. Të dyja duhen bërë: edhe hetimi, edhe puna. Njerëzit kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe të trajtohen si të pafajshëm deri kur të vërtetohet fajësia e tyre.
Po sikur Linda Karçanaj të jetë krejt e pafajshme dhe jo një kriminele? Dhe si person që është masakruar me “bomba artizanale”, tenxhere më tenxhere, duke i vënë në kurriz vila dhe makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe, siç mora vesh, nuk ka makinë? Çfarë fiton më pas shteti dhe çfarë mesazhi marrin ata që duan të kontribuojnë për këtë shtet? Si ua garanton shteti të gjithëve lirinë dhe të drejtën e marrjes së vendimeve? Cilido që me mendimet e veta realizon qëllimet e veta nuk është i pandëshkueshëm.”, është shprehur Rama.



