TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një ‘rreziku’ sipas tij, si ajo e ndërhyrjes së legjislativit apo ekzekutivit në drejtësi. Sipas Ramës, pezullimi i një ministri nga gjykata është një ndërhyrje e hapur në pushtetin legjislativ.
Po ashtu, Rama nuk la pa përmendur edhe kërkesën e shoqatës së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave duke e cilësuar atë gjithashtu ndërhyrje në kompetencat e pushtetit legjislativ.
“Çfarë është pezullimi i një ministri nga një prokuror e gjykatë, me një vendim pa gjyq të zhvilluar, i panjohur në historinë e botës? Çfarë është, përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq?
Qëkur në historinë me tre pushtete pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave të një vendi? Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në legjislativ, vendimi i Kushtetueses se si Parlamenti ka ndarë komisionet?
Hapu dhe, o tokë! Shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare. S’do të kemi dot një shtet funksional, një administratë që të japë më të mirën e vet pa pasur frikë të marrë vendime, deri në blerjen e letrës higjienike. Ky është fakt dhe është një nga mijëra faktet që mund të jepen. Është një prej fakteve të prodhuara nga frika.
As do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punën e vet. Këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara; ne nuk kemi luksin të vonojmë për t’i nxjerrë këto mësime. Janë serioze dhe jo imagjinare. Antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme se vetë korrupsioni; ka mijëra studime për këtë temë.
Qëndrojmë me shpresë dhe besim dhe ushqehemi me shpresë, shumë partizanë të zhgënjyer të drejtësisë. Gjyqtarët kanë arritur maja që habisin edhe ekspertët anglishtfolës të këtij qyteti të reformës në drejtësi, të cilët, kur dëgjojnë që një gjykatës i thotë një prokurori “rëndoje dorën se e ke të lehtë akuzën”, mbeten të habitur.”, është shprehur Rama.
/ZËRI



