TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste (PS) dhe kabineti qeveritar do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët këtë të enjte, në Pallatin e Brigadave. Mbledhja pritet të nisë në orën 11:00. Sipas agjendës të publikuar një ditë më parë, fjalën hapëse do ta mbajë Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Më pas, mbledhja do të vijojë me raportimet e 10 ministrave për diskasteret që ata drejtojnë, punët dhe projektet në zbatim. Në fund, fjalën e ka kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Në fokus të diskutimeve pritet të jetë edhe qëndrimi që do të mbajë mazhoranca në seancën plenare të javës së ardhshme lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres, Belinda Balluku. Qëndrimi përfundimtar i socialistëve pritet të vendoset sot, për të kaluar më pas në Kuvend, përballë qëndrimit të opozitës të cilët janë pro lejimit të arrestimit të Ballukut.
Në mbledhjen e 23 shkurtit, të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Partia Demokratike ka deklaruar votën pro dhënies së autorizimit, ndërsa përfaqësuesit socialistë janë shprehur se masa aktuale e pezullimit ndaj saj është e mjaftueshme dhe nuk pengon vijimin e hetimeve.
Në mbledhjen që zgjati rreth 5 orë, ishin të pranishëm kreu i SPAK, Klodian Braho dhe prokurorët e çështjes, të cilët kërkuan që Ballukut t’i hiqet imuniteti, duke argumentuar se ka intimiduar dhe kërcënuar dëshmitarë dhe se pozita ndaj sa është rënduar duke rrezikuar deri në 35 vite burg. Por, pavarësisht këtyre fakteve të propozuara nga ana e prokurorëve, socialistët dhe demokratët dolën me dy qëndrime të ndryshme.
Ndërsa PD publikoi raportin e saj për çështjen, mazhoranca pritet të dalë sot me një qëndrim zyrtar mbi çështjen e Ballukut.
Të dyja raportet do i kalojnë Kuvendit dhe votimi pritet të bëhet në seancën e 5 marsit. Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese. Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar./ZËRI



