TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, foli për angazhimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me trupa në Rripin e Gazës. Vengu deklaroi se Shqipëria ka shprehur dakordësinë për pjesëmarrjen në fazën e parë të shtabit për Gazën, duke dërguar oficerë. Ministri nuk dha më shumë detaje lidhur me numrin e pjesmarrësve, pasi theksoi se vijon konsultimi me aleatët për të përcaktuar se si do të kontribuohet.
“Shqipëria ka shprehur dakordësinë, kemi deklaruar pjesëmarrjen në fazën e parë në shtabin për Gazën dhe jemi duke punuar me aleatët tanë; nuk kemi përcaktuar ende numrin e pjesëmarrësve. Jemi në bashkëpunim me aleatët. Hartat që kanë qarkulluar nuk përbëjnë informacion zyrtar. Por ne po presim bisedimet me aleatët dhe jemi në bisedime sesi do kontribuohet. Do jenë bisedimet e shtabeve që do bisedojnë në vazhdimësi. Forcat tona operojnë nën ombrellën e një aleati më të madh”, tha Vengu.
Shqipëria dhe Kosova kanë premtuar se do të dërgojnë trupa Gaza, kështu deklaroi presidenti amerikan, Donald Trump gjatë ceremonisë inauguruese të Bordit të Paqes në SHBA, më 19 shkurt. Kryeministri Edi Rama gjithashtu konfirmoi pjesëmarrjen e trupave shqiptare në Gaza, gjatë fjalës së tij, duke ftuar edhe vendet e tjera që të kontribuojnë atje. /ZËRI





