TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet më datë 26 shkurt, për të vendosur qëndrimin përfundimtar për rastin e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Mbledhja do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, në orën 11:00. Lëvizja e socialistëve vjen pas mbledhjes së ditës së djeshme, 23 shkurt, të Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve në Kryesinë e Kuvendit.
Në mbledhjen që zgjati rreth 5 orë, ishin të pranishëm kreu i SPAK, Klodian Braho dhe prokurorët e çështjes, të cilët kërkuan që Ballukut t’i hiqet imuniteti, duke argumentuar se ka intimiduar dhe kërcënuar dëshmitarë dhe se pozita ndaj sa është rënduar duke rrezikuar deri në 35 vite burg. Por, pavarësisht këtyre fakteve të propozuara nga ana e prokurorëve, socialistët dhe demokratët dolën me dy qëndrime të ndryshme.
Ndërsa PD publikoi raportin e saj për çështjen, 5 deputetët socialistë, anëtarë të Këshillit të Mandateve, pritet të paraqesin raportin përfundimtar të enjten, pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë.
Çfarë ka kërkuar Prokuroria e Posaçme?
Në kërkesën drejtuar Kuvendit më 16 dhjetor 2025, Prokuroria e Posaçme informoi se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Nga relacioni i zbardhur u zbulua se SPAK kërkon arrestimin e Ballukut për shkak se situata penale është rënduar dhe zv.kryeministrja dyshohet për manipulim në të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj.
Kjo kërkesë vendosi sërish përballë sot, prokurorët e SPAK, avokatët mbrojtës të Ballukut dhe 10 anëtarët e Këshillit, 5 nga PD dhe 5 nga PS. Në mbledhjen e sotme SPAK konfirmoi se më 20 nëntor 2025, janë intimiduar dy dëshmitarë për Ballukun, duke u kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Ky fakt është vërtetuar me transkripte të bisedave, të cilat ndodhen në 16 mijë faqet që prokuroria ka dorëzuar në Kuvend. Prokurorët e SPAK kërkuan arrestimin e Ballukut duke thënë se pozita penale e saj është rënduar dhe rrezikon deri në 35 vite burg.
Qëndrimet:
-Fillimisht u shprehën avokatët mbrojtës të zv.kryeministres, të cilët kërkuan rrëzimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit.
-Pesë anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve kërkuan nga të gjithë deputetët në parlament, të votojnë pro heqjes së imunitetit dhe hapjen së rrugës së Prokurorisë së Posaçme për të marrë të tjera masa ligjore.
“Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit;
Rekomandojnë:
Deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për znj. Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal”
-Anëtarët e PS dolën kundër kërkesës së PD. Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla ka deklaruar se nga ana e tyre nuk ka pasur dakordësi me mënyrën sesi u soll raporti i PD, ku i kërkonte Kuvendit që të hiqte imunitetin e Belinda Ballukut. Balla ka theksuar se për mazhorancën është e mjaftueshme masa e pezullimit nga detyra. Kreu i grupit parlamentar të PS deklaroi se do të zhvillojnë një mbledhje dhe më pas do të dalin me një raport në emër të 5 deputetëve socialistë, anëtarë në Këshillin e Mandateve.
Taulant Balla: Në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve të PS kam informuar këshillin e mandateve se sa i përket propozimit të grupit të PD për dhënien e autorizimit ne nuk ishim dakord me atë mënyrë si është propozuar dhe do kemi një diskutim dhe një informim nga ana ime në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PS. Nuk e jep autorizimin këshilli, por e jep seanca plenare. Pas atij komunikimi i cili grupi i PS, në përfudnim të këtij procesi sapo kolegu im Ulsi Manja të ketë hartuar plotësisht raportin në emrin e 5 deputetëve tanë, do kemi dy relatorë, zoti Manja do hartojë raportin tonë ndërkohë që PD do sjellë raportin e saj.
Të dyja raportet do i kalojnë Kuvendit dhe votimi pritet të bëhet në seancën e 5 marsit. Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese. Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar./ZËRI



