TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi me anë të një postimi në rrjete sociale ka reaguar sërish lidhur me faktet e reja të SPAK në lidhje me çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Në mbledhjen e sotme, Prokurorët parashtruan prova, ku bëhet fjalë për kërcënimin e dëshmitarëve në emër të Ballukut. Por nuk është e qartë se cilët janë personat që kanë intimiduar dëshmitarët.
Vetë Gazment Bardhi në përfundim të mbledhjes por edhe gjatë zhvillimit të saj njoftoi për mediat se ‘të fortët’ kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen Ballukun, ndërsa burime nga Top Channel, bënë me dije se Prokurori i SPAK, Dritan Prençi ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për ‘të fortë”, por për anëtarë të kabinetit të zv.kryeministres. Në këto kushte me anë të një reagimi në rrjet Bardhi ka publikuar edhe njëherë përgjigjen e SPAK për anëtarët e PD, ku sipas tij thuhet se prokurorët kanë deklaruar se janë duke hetuar nëse këta persona kanë ose jo lidhje me krimin.
Gazment Bardhi: Kur një televizion kombëtar shndërrohet, fatkeqësisht, në një organ propagande të Partisë Socialiste dhe të korrupsionit qeveritar! Në asnjë moment, Prokurori Prençi nuk ka përgënjeshtruar atë që deklaroi vetë, jo një herë, jo dy herë, por plot katër herë:
Belinda Balluku ka intimiduar dëshmitarët përmes dy formave:
1. Përmes “të fortëve”, për të cilët prokurori deklaroi se po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar, verifikim që mbulohet nga sekreti hetimor.
2. Përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres, të cilët, ose kanë shantazhuar për shkarkime nga puna ndaj familjarëve, ose kanë ofruar para në këmbim të ndryshimit të dëshmive.
Një televizion kombëtar që i shërben interesit publik nuk merr SMS të gatshme nga Taulant Balla (sepse nuk është gazeta TEMA), por verifikon burimin, konfirmon mesazhin në disa burime, ku më i besueshmi do të ishte SPAK-u. Kur interesi nuk është informimi i publikut, por mashtrimi dhe mbrojtja e korrupsionit qeveritar, prej të cilit shpesh përfiton edhe vetë, atëherë e vërteta deformohet sipas interesot tẽ pushtetit.
P.S. Ndër të tjera, prokurorët u kanë vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit edhe transkriptin e përgjimeve të datës 20 nëntor 2025, ku ky fakt rezulton qartësisht.
SPAK ka konfirmuar në mbledhje, se më datë 20 Nëntor 2025, Balluku ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Kjo është e vërtetuar me transkripte të bisedave, të cilat ndodhen në 16 mijë faqet që prokuroria ka dorëzuar në Kuvend.





