TIRANË- Protestuesit e protestës të organizuar nga PD janë nisur drejt Kuvendit. Pas protestës në bulevardin e “Dëshmorët e Kombit”, ku mbajti fjalën dhe lideri i opozitës Sali Berisha, u hodhën molotovë dhe fishekzjarrë. Ashtu si herët e shkuara, protestuesit po marshojnë drejt Parlamentit, por këtë herë, Berisha me maskë kundër gazit, vendosi t’u bashkohet protestuesve.
Lideri demokrat është ndalur për mediat, duke theksuar sipas tij, se këtë herë ka ndryshuar skenarin, pasi i është bashkuar edhe ai marshimit drejt Parlamentit.
“Planin ndiqeni dhe raportojeni qytetarëve. E patë sesi Tirana ishte si Shqipëria e derdhur njëlloj si në 20 shkurt të vitit ‘91. Rama është i pashpresë, është i përfunduar. 2 janë ata që hedhin ujë dhe gaz, Ilirjan Proda dhe Sokol Bizhga. Dy kriminel të klasit të lartë që do të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Se skenarët ndryshojnë. E pastruam bashkisë nga Veliaj do pastrojmë kryeministrinë nga hajduti Rama. Do ndajnë fatin me njëri-tjetrin. Nuk ka gjë në botë që i shpëton. Dhe azil politik që po përpiqen të gjejnë, s’do e gjejnë. Vrimë miu s’do të gjejnë. Ministria e Infrastrukturës është në kryeministri. Nëse ka njerëz të lidhur si mishi me thoin, është Rama me Lubinë”, tha Berisha.



