TIRANË-Në seancën plenare prej 18-orësh Kuvendi miratoi dy projektligje dhe pesë projektvendime.
Seanca zgjati deri në orët e para të mëngjesit, ku u miratua me 75 vota pro, 15 vota kundër dhe 1 abstenim ligjin për shërbimin e jashtëm ku parashikohet testimi i diplomatëve në shërbim, 12 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit.
Me 74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim u miratuan ndryshimet në ligjin që prek AKSHI-n. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të zhvillojë më tendera. Prokurimet publike propozohet të realizohen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Nisma ligjore lejon që AKSHI të krijojë shoqëri aksionere, ku shteti duhet të ketë gjithmonë jo më pak se 51% të aksioneve.
Kuvendi zgjodhi gjithashtu edhe 4 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë: Selami Xhepa (74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim), Holta Zaçaj (72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim), Ervin Mete (74 vota pro, 17 kundër dhe 0 abstenim) dhe Jonida Prifti (73 vota pro, 18 kundër dhe 0 abstenim). Ndërkohë, kandidatura e Matilda Shehu, e propozuar nga mazhoranca, do të votohet në një tjetër seancë plenare, pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar socialist.
Gjashtë projektligjet e propozuara nga opozita, u rrëzuan. Dy prej tyre ishin të propozuara nga Ina Zhupa “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” dhe “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Dy të tjera nga Jorida Tabaku “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për statusin e minatorit”, u rrëzuan. Gjithashtu nuk u miratua nisma e tre deputetëve të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Tedi Blushi dhe Edmond Haxhinasto, “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë” dhe propozimi i Tedi Blushit ““Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratike për ndotësit ushqimorë”.
Në tre prej projektligjeve të opozitës, deputeti i PS, Erion Braçe abstenoi. Seanca u mbyll në orën 04:15 të mëngjesit, pas një axhende të ngarkuar dhe votimesh të njëpasnjëshme në sallën plenare./ZËRI





