Pavarësia e Kosovës më 17 shkurtin e 18 viteve më parë është dita më e rëndësishme që pas asaj të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Kështu u shpreh sot në studion e “News 24”, ish-kreu i Flotës Detare, Artur Meçollari, aktualisht ekspert i sigurisë ushtarake.
Ai kujtoi 18 vitet më parë, kur Kosova u shpall e pavarur dhe shteti më i ri në Botë.
“Kam qenë në Pashaliman atë ditë. Kujtoj se ishte e hënë, ishte ditë ndryshe, por që ishte ngjarje shumë e rëndësishme, që pas shpalljes së Pavarësisë sonë, shpallja e pavarësisë sës një tjetër shteti shqiptar, pra data 17 shkurt ishte shumë e rëndësishme”, u shpreh ai.
Për ish-komandantin e Flotës shqiptare, procesi që po bëhet aktualisht në Hagë ndaj ish-liderëve të Kosovës dhe UÇK-së nuk ka asnjë provë që i lidh direkt me ta dhe akuzat janë shumë të dobëta.
“E kam ndjekur edhe procesin e Hagës dhe me të vërtetë nuk gjendet asnjë lidhje mes procesit penal dhe liderëve të UÇK-së dhe kjo e bën akuzën shumë të dobët. Por edhe analiza e ngjarjes, mënyra se si u pranua, u bë gabim apo jo. Por duhet thënë se nuk ka asnjë lidhje mes provave dhe personave konkretë”, argumentoi ai.









