TIRANË- Komisioni i Territoriales është mbledhur këtë të hënë, ku deputetët e PS-së dhe ata të opozitës gjetën gjuhën e përbashkët, për të miratuar programin e punës, që do të ndjekin në vijim për te reformën e ndarjes territoriale të Shqipërisë. Komisioni i posaçëm do ta ketë gati një propozim për ndarjen e re të bashkive apo edhe rajoneve brenda qershorit të këtij viti, ndërsa afati parashikohet deri në korrik 2026.
Arbjan Mazniku: “Kapim dritaren e 2027 ose ngel për 2031-shin. Korriku është një afat që është diktuar”.
Luçiano Boçi: “Unë s’jam këtu për korrikun fare. Finishi ynë është të bëjmë një reformë të re që i reziston kohës. Nëse e arrijmë në korrik shumë mirë”.
Çfarë parashikon ky Plan Pune?
-Dëgjesa në terren, në 12 qarqe (në periudhën shkurt-mars)
-Sondazhe, do të kërkohet vlerësimi dhe opinioni i qytetarëve (në periudhën prill-maj)
-Takime me grupet e ekspertëve
Ndërkohë, pika më e diskutueshme mes dy palëve, do të mbetet numri i bashkive. Aktualisht Shqipëria ka 61 bashki.
Demokratët nuk kanë shprehur synim për të shkuar drejt një numërim të përafërt me 373, por kanë shprehur kërkesën për rreth 100 bashki në vend. Nga ana tjetër, socialistët kërkojnë zvogëlim të mëtejshëm, më pak se edhe 61 që janë aktualisht.
Reforma territoriale mbetet një çështje kyçe për organizimin administrativ të vendit dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kompromiset mes partive në tavolinë, do të vendosin formën përfundimtare të ndarjes së bashkive./ZËRI



