KOSOVË- Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë punë në Kosovë, ku është pritur fillimisht nga presidentja Vjosa Osmani. Më pas të dy liderët, morën pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet”, dedikuar ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Gjatë fjalës së tij teksa fliste për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Rama deklaroi se Vjosa Osmani është kërcënuar për dy vjet rresht nga prokurorët e Speciales, pasi nuk ka lejuar që shunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, me qëllim për të gjetur prova për krime lufte kundër njerëzimit.
“Edhe presidentja e Kosovës është kërcënuar; ju nuk e dini, pasi nuk është thënë asnjëherë”, deklaroi Rama.
“Sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë në anën tjetër të barrikadës, ndërkohë që prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme, pasi nuk ka në aktivitetin e katër udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe UÇK-së me terrorin, pastrimin etnik, varre me njerëz të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve dhe grave, apo me përdhunime, vrasje, mbytje njerëzish në lumë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre.
Faktikisht, ata vetë, me dorën e tyre, e votuan në Parlamentin e Kosovës një gjykatë që në letër është një gjykatë e Kosovës, jo për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën. Faktikisht, sot jemi në kushte kur ka marrë formë thuajse përfundimtare, pasi fjalën e fundit e ka gjykata, një plan shumë afatgjatë, i cili ka nisur me raportin famëkeq të Dick Marty-t për trafikim të organeve nga udhëheqja e UÇK-së. Ai plan është shtyrë përpara nga përfaqësuesit e Putinit në Këshillin e Evropës dhe është ngritur mbi një rezolutë, që për turpin e vet, Këshilli i Evropës nuk gjen kurajon ta rishikojë. Ai plan ka vazhduar dhe ka marrë jetë ditën që presidenti i Kosovës ishte nisur në SHBA.
Qysh nga ai moment, presidenti i Kosovës është marrë peng. Edhe presidentja e Kosovës është kërcënuar; ju nuk e dini, pasi nuk është thënë asnjëherë. Presidentja e Kosovës është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës se me demek do kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit. Kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë.“, u shpreh Rama.



