Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u prezantua nisma që prek kodin e procedurës penale për mbrojtje të 7 institucioneve nga pezullimi i detyrës, tha se mandati i Belinda Ballukut do të trajtohet me përgjegjësi nga shumica qeverisëse.
Kryeministri Edi Rama sqaroi se ndryshimi i nenit do të votohet në Kuvend, pasi ky i fundit të jetë shprehur për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, masë e kërkuar nga SPAK.
Edi Rama: Duke e mbyllur dua të them që nisma thjesht dhe vetëm adreson një…juristët e quajnë boshllëk, unë them një problem që nuk duhet të shfaqet më. Nuk duhet ti shkojë në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit të marrë peng një funksion kushtetues. Ndërsa rasti konkret është një proces në Kuvendin e Shqipërisë dhe do trajtohet me përgjegjësinë që ne kemi si shumicë qeverisëse. Kush i lidh këto të dyja edhe në aspektin kohor, nëse nuk gaboj në llogarinë e kohës, parlamenti do të shprehet më para për imunitetin dhe më pas do të kojë në votë ky ndryshim. Kështu që nuk ka lidhje me rastin konkret.



