TIRANË-Mbi 1300 efektivë policie janë angazhuar në terren, teksa pritet të mbahet protesta e thirrur nga opozita para Kryeministrisë. Një kordon policie do të jetë në perimetrin e kryeministrisë, ndërsa nëse do të jetë skenari i protestës së kaluar, policia do të zhvendoset edhe përpara Parlamentit.
Sakaq në gatishmëri janë vendosur edhe autobotet me ujë, me qëllim ndërhyrjen për të shpërndarë protestuesit nëse do të jetë e nevojshme.
Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu, teksa pas vetëm pak minutash pritet nisja e protestës kombëtare të PD-së. Berisha ka takuar simpatizantët e shumtë para se të futej në ambientet e brendshme të selisë së partisë. Kjo është protesta e tretë kombëtare e thirrur nga opozita kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa si pasojë e protestës është devijuar edhe qarkullimi në disa zona në kryeqytet./ZËRI



