TIRANË- Komisioni Evropian është shprehur se Kuvendi duhet të adresojë pa vonesë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.Kryeministres, Belinda Balluku.
Në një prononcim për ReportTV, KE thekson se lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj.
Pyetjes nëse përballja e qeverisë me institucionet e drejtësisë mund të ketë pasoja për Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, Komisioni Europian thekson se kjo mbetet një çështje shqetësuese, duke iu referuar edhe raportit të fundit të Brukselit për vendin tonë.
Reagimi i KE
Si e vlerëson Komisioni Evropian këtë përplasje institucionale që buron nga rasti i Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku përfshihen SPAK, Kryeministria dhe Kuvendi?
•Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj.
A mendoni se përballja e qeverisë me institucionet e reja të drejtësisë e minon reformën në drejtësi dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për Shqipërinë?
•BE i kushton rëndësi shumë të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi. Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi përparimin në këtë fushë në kontekstin e negociatave të anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.
A ka kjo përplasje institucionale kosto për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?
•Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze. Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë.
A ka pasur diskutime zyrtare në Bruksel lidhur me këtë çështje? Dhe a keni komunikuar me përfaqësues të qeverisë shqiptare ose institucioneve të drejtësisë për këtë situatë?
•Institucionet e BE-së janë në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare. Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë do të zhvillohet në fillim të marsit dhe do të shërbejë si një mundësi për të vijuar diskutimet mbi reformën në drejtësi në vend.
Kjo deklaratë e Komisionit Europian për ReportTv vjen pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi një ofensivë ligjore për të mbrojtur ministrat e kabinetit të tij dhe poste të tjera kushtetuese nga masa e pezullimit nga detyra. Lidhur me vendimin e Kushtetueses për Ballukun, Rama ka deklaruar se grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion. Nga ana tjetër sa i përket kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit, lidhur me arrestimin Rama shprehet se nuk ka asnjë urgjencë që Këshilli i Mandateve të Mblidhet për t’i hequr imunitetin Ballukut.
Në seancën e 6 shkurtit, mbeti në fuqi masa e pezullimit ndaj ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku. Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Pra, ministrat kanë imunitet si deputetët, por nuk i mbron nga pezullimi nga detyra nëse janë nën hetim.
Ndarja e trupës së gjyqtarëve ishte 4 me 4 nëse duhet të merret ose jo autorizim nga Kuvendi para se të pezullohet me vendim gjykate një anëtare qeverie. Sipas njërit qëndrim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit. Sipas qëndrimit tjetër, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale. /ZËRI





