ITALI- Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën në Vatikan, i shoqëruar nga bashkëshortja, Linda Rama, dhe djali i tij, Zaho. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë pamje nga vizitë, teksa bën me dije se ndalesën e parë e ka bërë në bazilikën e famshme në Genazzano.
Rama shkruan se që prej vitit 1467, aty nuk ka shkelur asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare, teksa shton se edhe Papa Leoni XIV, sapo u zgjodh, veprimin e tij të parë e pati lutjen në Genazzano, pranë Zojës së Shqipërisë, e njohur gjithashtu si Regina di Albania – Mbretëresha e Shqipërisë.
“Në bazilikën e famshme, ku gjendet shëmbëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467. Që nga ajo kohë asnjë kryetar shteti ose qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e bazilikës, ku krah Zojës së Shqipërisë qëndron përherë edhe flamuri ynë kombëtar, e ku kanë kryer vizita e rite thuajse të gjithë Papët e Romës. Gjëja e parë që bëri edhe Papa Leoni XVI sapo u zgjodh, ishte vinte e të lutej në Genazzano te Zoja e Shqipërisë që thirret edhe Regina di Albania – Mbretëresha e Shqipëri”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama është nisur ditën e sotme drejt Romës për një vizitë zyrtare në Vatikan, ku do të pritet në takim nga Papa Leone XIV.
Sipas axhendës së bërë publike nga Agjencia për Media dhe Informim:
-Kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.
-Pritja do t’i paraprijë audiencës që kryeministri Rama do të ketë me Papa Leonin XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.
-Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.
-Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
-Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me Kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit./ZËRI



