Gjyqtarët kërkojnë rritje pagash, Rama kundër! Shoqata e Prokurorëve: GJK të flasë, mos e prekni pavarësinë e gjyqësorit


Gjyqtarët kërkojnë rritje pagash, Rama kundër! Shoqata e

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas replikave mes kryeministrit Edi Rama dhe gjyqtarëve lidhur me rritjen e pagave të magjistratëve. Shoqata shprehet se çdo debat publik mbi drejtësinë duhet të zhvillohet me përgjegjshmëri dhe respekt për rolin kushtetues të gjyqtarëve dhe prokurorëve. 

Në deklaratën zyrtare, Shoqata e Prokurorëve thekson se çdo ndryshim ligjor që ul pagat e magjistratëve ose cenon garancitë kushtetuese përbën shkelje të parimeve themelore të sistemit të drejtësisë. Ata mbështesin qëndrimet dhe kërkesat e shoqatave të gjyqtarëve para Gjykatës Kushtetuese dhe nënvizojnë se vendimet duhet të merren pa ndikim të jashtëm ose instrumentalizim të opinionit publik.

DEKLARATA:

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.

Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.

Gjyqtarët kërkojnë rritje pagash, Rama kundër! Shoqata e

Poll



Source link

Scroll to Top