KOSOVË-Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar pasi emri i saj u përmedn në dosjen e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein. Me anë të një reagimi publik, Jahjaga ka mohuar çdo kontakt me Epstein, duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë. Ajo sqaron se në email-in e bërë publik përmendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili.
Sqarim publik:
Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.
Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.
Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj. Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet. Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani.
Në dokumentin e dërguar më datë 16 shtator 2012 nga një person me emrin “Daniel”, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, përmendet një princesh nga Tajlanda që do të ishte në New York dhe se ishte e interesuar për një takim bashkë me Jahjagën.

Kujtojmë se Atifete Jahjaga është presidentja e parë grua e Kosovës dhe shërbeu si Kryetare e Shtetit nga viti 2011 deri në vitin 2016./ZËRI



