TIRANË- Mazhoranca socialiste është gati të ndërmarrë nismën për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Nisma e tyre vjen pas bojkotit disa javor të opozitës, por megjithatë, nesër do të jetë shanci i fundit për demokratët që të rikthehen në karriget e tyre. Në të kundërtën, mazhoranca do të marrë shumicën e anëtarëve në komision dhe drejtimin e tij, duke i hequr opozitës të drejtën e vetos.
Vetëm pak ditë më parë, socialistët kanë bërë kërkesë ku kanë propozuar ndryshimin e përbërjes dhe mënyrës së punës së Komisionit. Nëse PD nuk shkon në Komision, socialistët do të prishin marrëveshjen e arritur në nisje të legjislaturës. Në kërkesë, socialistët theksojnë se që prej krijimit të Komisionit në datën 27.10.2025, nga 4 mbledhje të njoftuara rregullisht vetëm një mbledhje është zhvilluar me përbërje të plotë të opozitës.
“Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Kryetari i komisionit është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, thuhet në propozimin e PS.
Nga ana tjetër, opozita ka refuzuar të ulet në Komision, me pretendimin se Partia Socialiste po pengon drejtësinë për çështjen “Balluku”. Nesër, 2 shkurt, është parashikuar të mbahet mbledhja e Komisionit, por, në të njëjtën kohë, grupi parlamentar i PD do të mblidhet në seli për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare të së martës. Prandaj, prezenca e tyre në Komision mbetet e paqartë, e po ashtu, edhe vijimësia e punimeve të Komisionit, nëse do të vazhdojë bojkoti i opozitës./ZËRI




