TIRANË-Pikërisht ditën kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit në mënyrën më aktive të mundshme duke behur në Këshillin e Mandateve në Kuvend, komisioni i Përhershëm Parlamentar Xhafaj kërkonte të futej në axhendën e SPAK.
Kërkesa lidhej me një vizitë monitoruese mbi rezultatet e SPAK për pastrimin e parave. Në dokumentin që disponon TCH, politika e mbështet kërkesën tek një shkresë e Agjencisë së Inteligjencës Financiare drejtuar kuvendit dhe disa institucioneve për disponimin e të dhënave rreth pastrimit të parave.
Por SPAK i thotë ‘jo” takimit me komisionin Xhafaj, që ishte sugjeruar të mbahej në 6 shkurt 2026. SPAK në këtë dokument, e cilëson takimin monitorues në kapërcim të ligjit dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.
“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.”


Megjithatë SPAK lë një dritë jeshile për bashkëpunim me komisionin, kur i kujton se mund ta informojë sipas ligjit, por jo ta monitorojë.
“Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndër institucional me komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese.”
Në dokument nënvizohet se SPAK e ka kryer më herët raportimin mbi përmbushjen e rekomandimeve të Task forcës. Ky informim kryhet në kuadër të procesit të Shqipërisë nga Moneyval, Organizata Ndërkombëtare e Monitoritimit kundër pastrimit të parave.
Komisioni parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” e nisi punën, pasi Kuvendi miratoi në prill vetëm me votat e Partisë Socialiste ngritjen e tij. Asakohe Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë njoftuan se nuk do të marrin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me ekspertë në këtë komision.






