IZRAEL- Kryeministri shqiptar, Edi Rama, mbajti dje një fjalim historik në Parlamentin izraelit. Në fjalimin e tij, kreu i qeverisë shqiptare foli për bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si një prej vlerave më të rëndësishme të vendit tonë. Duke marrë si shembull familjen e tij, ku vetë ai është katolik dhe bashkëshortja myslimane, Rama tha se nuk do të ishte çudi që një ditë, djali i tij të zgjidhte besimin hebre.
“Për t’u kthyer tek fjalimi dhe zgjedhja ime për t’u prezantuar me fjalët e një lideri arab, më lejoni që të bëj një rrëfim personal, unë nuk jam një mysliman, jam katolik por gjysma ime më e mirë është myslimane. Dy fëmijët tanë më të rritur, që janë produkt i kapitujve të mëparshëm të jetës sonë, janë krishterë-ortodoksë. Dhe më i vogli, djali ynë 11-vjeçar, do ta vendosë vetë një ditë, por duke parë entuziasmin e tij të papërmbajtshëm, kur i themi që mund të lëmë dëshira te muri i lotëve, ideja që një ditë ai mund të zgjedhë të bëhet hebre, nuk është aspak e pabesueshme”, tha mes të tjerave Rama.
/ZËRI



