TIRANË- “Edi Rama mori një bursë nga një fondacion grek për të studiuar në Harvard”, ka pretenduar ish-deputetja greke, Niki Tzavella në një postim në X. Sipas ish-deputetes greke, kryeministri shqiptar studioi në Universitetin e Harvardit me një bursë nga një fondacion grek, ku Tzavella ishte nënkryetare dhe përgjegjëse për përzgjedhjen e studiuesve.
Tzavella pretendon ndër të tjera se ishte pikërisht ajo e cila e zgjodhi kryetarin e atëhershëm të bashkisë së Tiranës për të studiuar me paratë e një fondacioni grek. Sipas Tzavella-s, kërkesa kryesore për të marrë këtë bursë ishte të kishe prejardhje nga minoritetet. Kryeministri shqiptar e plotësoi kushtin, pasi nëna e tij është greke.
“30 vjet më parë ai nuk ishte famëkeq. E zgjodha për shkak të njohurive të mia shumë të mira për Shqipërinë, për shkak të punës sime të mëparshme atje. Ai ishte gjysmë minoritet, kishte kualifikimet e kërkuara (kryetar bashkie, të cilat njerëzit e tjerë të minoriteteve nuk i kishin. Ishte e detyrueshme që ai të ishte institucional) dhe sigurisht që ishte i aftë. Shqiptari tjetër me të cilin studiuam u bë Ministër i Financave, unë ia kisha pagëzuar fëmijën (ai vdiq i ri). Nuk kishte kuptim. Përveç kësaj, në Evropën Juglindore në atë kohë kishte shumë pak që plotësonin kërkesat për një arsim në Harvard. Do të habiteni po të shihni se cilët politikanë nga Evropa Juglindore vinin nga ky Institucion. Yje!”, shkruan Tzavella në postim.
Ky postim vjen pas deklaratave të kryeministrit shqiptar ndaj gazetarit greko-amerikan, John Defterios gjatë Samitit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Abu Dhabi. Sipas Protothema, kryeministri Edi Rama ka sulmuar verbalisht gazetarin, pasi ky i fundit i shqiptoi emrin gabim. Megjithatë, Rama reagoi pas lumit të kritikave, duke u shprehur se tonet e tij nuk kanë qenë aspak tendencioze, por vetëm humor miqësor./ZËRI



