IZRAEL- Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Jeruzalem, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Kreu i qeverisë shqiptare ka mbërritur ditën e djeshme i shoqëruar nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Ndalesa e parë ka qenë në Nova Site, ku kryeministri Rama ka ndarë në rrjetet e tij sociale disa pamje, teksa shkruan: “Nova Site, Izrael. Stacioni i parë i vizitës në Izrael, një vend që kumbon pa fjalë Mes humbjeve rrëqethëse, një pyll festash i kthyer pas një kasaphane të patregueshme në një tempull reflektimi për jetën, urrejtjen dhe çmimin e paqes”.
Vizia do të fillojë sot në një takim kokë më kokë homologun izraelit, Benjamin Netahyanu, për të vijuar më pas deri në momentin kulmor me fjalimin e kryeministrit shqiptar në seancën plenare speciale të Knessetit, Parlamenti i Izraelit. Ky fjalim konsiderohet historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Axhenda e plotë e vizitës:
Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.
Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.
Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.
Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.
Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, z. Amir Ohana.
Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.
Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.
Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në ëestern ëall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit./ZËRI



