TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është ngjitur i fundit në podiumin para Kryeministrisë, duke mbajtur një fjalim përpara protestuesve dhe mbështetësve demokratë. Lideri i PD-së iu drejtua protestuesve duke u shprehur se ky është kilometri i fundit dhe ‘pranë triumfit të madh’.
“Të nderuar drejtues të PD-së, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë. Vëllezër e motra, do ta nis këtë fjalë me një mesazh, që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky. Sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi pranë triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë jo e lehtë.”, tha Berisha.



