Rama ironi të fortë me opozitën: Ju fituat, po votoni që unë të vetëdorëzohem në SHBA, por si anëtar i Bordit të Paqes


Rama ironi të fortë me opozitën: Ju fituat, po votoni që

edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë ironi me opozitën në Kuvend, që sipas tij pretendonte se ai do të arrestohej si Maduro, por në fakt sot do të votojnë për ta dërguar në SHBA, si përfaqësues të Shqipërisë në Bordin e Paqes. Rama tha se opozita korr vetëm fitore imagjinare, ndërsa ironizoi dhe përpjekjet e tyre që në Kongresin Amerikan të flitet për tenderat e AKSHI-t. Kryeministri shqiptar komentoi po ashtu dhe për statusin non grata, që sipas opozitarëve do i hiqej Berishës dhe do i vendosej atij.

Pjesë nga fjala e Ramës: Sot ky Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë të cilin Shqipërisë në radhë të parë kësaj shumice qeverisëse në emër të këtij vendi dhe sigurisht krejt Kuvendit, i takon ta bëjë sa herë vjen në tryezë tema e paqes. Ne shumica kuvendore e Shqipërisë për tre mandate të plota e kemi bërë zëdhënësin dhe punëtorin e paqes në këtë rajon të trazuar edhe kur kjo është dukur dhe madje është komentuar si tradhti. Ne e kemi çuar Shqipërinë e përkushtuar për paqen deri dhe në krye të OSBE-së, apo në tryezën e KS të OKB ku kemi nderuar flamurin dhe kombin shqiptar. 

Ju fituat se për muaj me radhë thatë se Amerika do më bënte mua gjyqin. Ju fituat sepse e parlamëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë më 20 janar. Ju festuat arrestimin e Maduros dhe ju thatë shqiptarëve ishte provë për arrestimin e Ramaduros. Unë me ju nuk tallem, nuk tallem, kurrë me fitoret tuaja. Sot ju do të votoni të vërtetën e madhe që unë nuk do ta uroj ushtrinë amerikane të bashkohet me protestën tuaj nga tarraca e kryeministrisë, sepse do dorëzohem vetë paqësisht. Do të vijnë të më marrin me eskortë dhe të më çojnë në Shtëpinë e Bardhë për të më ulur si anëtar të Bordit të Paqes.

Ju prisni të fitoni me helikopterë të ushtrisë amerikane, por jo se unë do dorëzohem vetë. Fituat edhe këtë herë. Në fillim thashë që nuk është ftesë, unë jam mësuar me ju, ua jap pak nga pak, se po mbyteni. Larg qofshi të mbytur. Doli ftesa, thatë; këtë ftesë e ka gjithë bota. Tani thatë: “Nuk je te bordi.” Ok, ok! Rëndësi ka që do ngrini kartonin me votën tuaj dhe do të miratoni Bordin e Paqes. Sot do ngrini kartonin, do fitoni, po apo jo? Po, po! Ju denoncuat aferën 1 miliard dollarë që ua premtova seksereve të vendit, por denoncimi juaj më detyroi të hiqja dorë dhe Trump u detyrua të më pranonte pa pagesë.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes, ka ndezur sot Kuvendin, me socialistët që e kanë futur relacionin me procedurë të përshpejtuar. Në Komisionin për Politikën e Jashtme, u rrëzuan amandamentet e PD, që kërkoi që Shqipëria të përfaqësohej nga presidenti Begaj dhe jo nga kryeministri. Vetë Rama i pranishëm në seancë, dha sqarime se pse nuk ishte i pranishëm sot në Davos, ku Trump nënshkroi marrëveshjen me 19 shtete, përfshirë dhe Kosovën./ZËRI 

Poll



Source link

Scroll to Top